Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjenevë, fillon samiti i negociatave për çështjen e Qipros

Gjenevë, fillon samiti i negociatave për çështjen e Qipros

Në zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë të Zvicrës kanë filluar negociatat që zhvillohen nën mbikëqyrjen e OKB-së për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së Qipros, në të cilat marrin pjesë edhe kryetari i Republikës Turke të Qipros Veriore Mustafa Akıncı dhe lideri i Qipros Greke Nikos Anastasiadis, raporton Anadolu Agency (AA).

Liderët qiprotë janë pritur nga drejtori i përgjithshëm i Zyrës së OKB-së në Gjenevë Michael Moller dhe Këshilltari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Çështjen e Qipros Espen Barth Eide.

Negociatat për këtë çështje do të zgjasin tri ditë, prej të cilave në të parën do të diskutohet për pronat, ndërsa më pas për ndarjen e qeverisë dhe pushtetit. Gjithashtu, në negociata do të këmbehen edhe mendime rreth sigurisë dhe garancive.

Në negociata, konkretisht më 11 janar, pritet që palët t’i prezantojnë hartat e tyre. Pas negociatave, më 12 janar, do të organizohet konferencë ndërkombëtare në të cilën do të marrin pjesë shtetet garantuese, Turqia, Greqia dhe Britania. Në konferencë pritet të marrin pjesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe, sipas nevojës, përfaqësues të palëve të tjera relevante.

Pasi samiti i organizuar në Mont Pelerin të Zvicrës në nëntorin e kaluar nuk dha rezultatet e dëshiruara, liderët më 1 dhjetor u takuan në ishull dhe morën vendimin që negociatat të vazhdojnë dhe të organizojnë një konferencë ndërkombëtare në lidhje me çështjen e Qipros.

Negociatat në Qipro kishin rifilluar më 15 maj të vitit 2015 me ndërmjetësimin e këshilltarit të posaçëm të OKB-së, Espen Barth Eide pas ardhjes në detyrë të kryetarit të Qipros Turke Akıncı. Negociatat përbëhen nga gjashtë tituj kryesorë, si Ekonomia, Bashkimi Evropian, Pronat, Ndarja e qeverisë-pushtetit, Territori, Siguria, etj.

Exit mobile version