Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermani, qindra persona sulmojnë policinë në Stuttgart

Gjermani, qindra persona sulmojnë policinë në Stuttgart

Qindra persona në qytetin Stuttgart të Gjermanisë sulmuan policinë dhe thyen xhamat e dyqaneve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga policia e Stuttgartit thuhet se një numër i madh personash u mblodhën në mesnatë dhe marshuan drejt sheshit “Schloss” pasi policia kreu kontrolle për drogë në qendër të qytetit.

Turma u shpërnda në grupe në rrugët anësore dhe sulmoi punonjësit dhe automjetet e policisë me gurë dhe shkopinj, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se gjatë ngjarjeve policia u sulmua me gurët e kalldrëmit të hequr nga rrugët.

Gjithashtu u thyen xhamat e shumë dyqaneve si dhe pati plaçkitje. 

Si pasojë e ngjarjeve u plagosën shumë policë ndërsa mbi 20 persona u arrestuan. Nga zonat përreth u dërguan mbi 200 policë në Stuttgart kurse situata u qetësua në orët e mëngjesit.

Sipas mediave lokale, gjatë ngjarjeve ku morën pjesë rreth 500 persona thuhet se një zëdhënës i policisë ka thënë se “situata doli plotësisht nga kontrolli”.

Kryetari i Bashkisë së Stuttgartit, Fritz Kuhn në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter tha se është i shokuar nga sulmi ndaj policisë dhe shkatërrimeve në qytet. “Kjo ishte një ditë e trishtuar për Stuttgartin”, tha ai.

Exit mobile version