Gjermania sot dënoi ashpër vrasjen e fundit të pesë civilëve palestinezë nga kolonët e paligjshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.
“Ne i kemi vënë re këto incidente, të cilat i konsiderojmë thellësisht shqetësuese. Fatkeqësisht, ato janë pjesë e një serie të tërë sulmesh të dhunshme ndaj popullsisë civile dhe fakti që pesë civilë palestinezë u vranë vetëm në një javë është me të vërtetë ngjarje e trishtueshme”, u tha gazetarëve në Berlin zëvendës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Josef Hinterseher.
“Dhuna kundër civilëve palestinezë është e papranueshme. Është përgjegjësi e Izraelit të sigurojë mbrojtjen e tyre dhe për këtë arsye ne i dënojmë këto sulme në termat më të forta të mundshme”, shtoi ai.
Hinterseher theksoi se “të gjitha incidentet e dhunës së kolonëve duhet të hetohen menjëherë dhe mbi të gjitha, ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës”.
Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës më 8 tetor 2023, me forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm izraelitë që kryejnë sulme që përfshijnë vrasje, arrestime, shkatërrim pronash, prishje shtëpish, zhvendosje dhe zgjerim të vendbanimeve.
Sulmet kanë vrarë të paktën 1.121 palestinezë dhe kanë plagosur 11.700 të tjerë, përveç arrestimit të gati 22 mijë palestinezëve.
Palestinezët paralajmërojnë se shkeljet mund t’i hapin rrugën Izraelit për të aneksuar zyrtarisht Bregun Perëndimor, duke i dhënë fund në mënyrë efektive mundësisë së krijimit të një shteti palestinez siç parashikohet në rezolutat e OKB-së.
Bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja e konsiderojnë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, një territor të pushtuar palestinez dhe i shohin vendbanimet izraelite atje si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
