Gjyqtarët belgë paralajmërojnë se korrupsioni dhe dhuna po e shndërrojnë shtetin në një “parajsë” të mafies ndërkombëtare
Trafiku ndërkombëtar i drogës, përbën një rrezik për stabilitetin shoqëror në Belgjikë. Bart Willocx, presidenti i gjykatës së apelit në Antverp, thotë se vendi po evoluon drejt një “narko-shteti”, ku grupet mafioze po formojnë një forcë paralele në shoqëri.
Antverpi, si një nga pikat kryesore të hyrjes për kokainën në Evropë, është bërë tejet i ndjeshëm ndaj korrupsionit galopant. “Sasia e parave për korruptimin e njerëzve është aq e madhe sa përbën një rrezik për stabilitetin tonë”- tha Willocx për The Guardian.
Në vitin 2024, mbi 70 për qind e kokainës që hyri në Evropë kaloi përmes Antverpit dhe Roterdamit. Megjithëse sekuestrimet ranë në 44 ton në vitin 2024 (nga 121 ton në 2023), kjo mendohet se vjen nga fshehja më e mirë dhe zhvendosja në porte më të vogla e lëndës narkotike.
Kriminaliteti ka sjellë një valë vrasjesh, rrëmbimesh dhe torturash. Bandat kanë shkuar deri aty sa të planifikojnë rrëmbimin e Ministrit të Brendshëm dhe të kërcënojnë punonjësit e portit me foto të fëmijëve të tyre apo eksplozivë në shtëpi.
Prokurori i Përgjithshëm, Guido Vermeiren, zbuloi se kriminelët paguajnë deri në 250.000 euro për zhvendosjen e një kontejneri të vetëm. Edhe fëmijët 13-vjeçarë po përdoren për të nxjerrë fshehurazi drogën nga portet.
Bandat i “përgatisin” të rinjtë duke i ndihmuar të punësohen në port, për t’i shantazhuar më pas. Siguria është përkeqësuar deri në atë pikë, sa që gjyqtarët detyrohen të jetojnë në shtëpi të sigurta nën mbrojtje të përhershme, ndërsa policia dhe stafi i spitaleve korruptohen për të dhënë adresa private të zyrtarëve.
Ndërkohë gjykatat belge vuajnë prej dekadash për mungesë fondesh. Në Antverp, gjyqtarët presin ende skanerët e sigurisë të premtuar prej dy vitesh, duke u ndjerë të pasigurt kur përballen me kriminelë.
Pastaj ekziston frika se presioni mund të çojë në gabime procedurale të qëllimshme nga gjyqtarët për të shmangur dënimet nga frika e hakmarrjes. Prokurorët kanë propozuar 100 reforma, teksa e akuzojnë qeverinë për mosveprim.
Edhe pse Ministria Drejtësisë premtoi 1 miliard euro shtesë deri në vitin 2029, dyshimet mbeten. Shkalla e vërtetë e problemit u zbulua pas thyerjes së rrjetit të koduar Sky ECC. Pesë vjet pas operacionit të parë, mbi 1.200 persona janë dënuar, por hetimet vazhdojnë për 5.000 të dyshuar të tjerë.
“Ishte edhe më keq nga sa mendonim”- përfundon Vermeiren, duke theksuar se rrjetet shtrihen nga Dubai deri në Amerikën e Jugut. /tesheshi
