Gjermania dhe Austria bashkuan forcat për t’u bërë thirrje vendeve evropiane që të ulin borxhin publik ndërsa ministrat e financave të vendeve zhvilluan një takim në Berlin.
“Bindja jonë themelore është të kemi sërish një rënie të përqindjes së borxhit të qeverisë në Evropë,” tha Christian Lindner përpara bisedimeve me homologun e tij austriak, Magnus Brunner.
“Borxhi duhet të reduktohet në mënyrë që të sigurohet edhe stabiliteti fiskal dhe të ruajmë aftësinë e bankave qendrore për të vepruar”, shtoi Lindner.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi rëndësinë e investimeve në konkurrencën e ekonomive evropiane dhe në teknologjinë e pastër. “Edhe pse ai fokusohet në kapitalin privat, shtetet kanë gjithashtu një përgjegjësi këtu”, tha ministri gjerman.
Brunner shprehu mbështetje për thjeshtimin dhe zbatimin më efektiv të rregullave të borxhit të Bashkimit Evropian, por argumentoi se Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes tashmë ofronte fleksibilitet të mjaftueshëm.
Franca dhe vende të tjera kanë ndezur diskutime në Bruksel nëse duhet të reformohen rregullat. Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes parashikon që vendet të marrin borxh jo më shumë se 60% të prodhimit të tyre ekonomik.
Pakti u pezullua gjatë pandemisë. Ai supozohet të kthehet në fuqi në vitin 2023. Sipas Komisionit Evropian, raporti i borxhit në BE aktualisht është rreth 92%. /aa
