Evropa duhet të rrisë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën, veçanërisht duke forcuar mbrojtjen ajrore të Kievit, tha të hënën zëvendësministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Sebastian Hartmann, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në Bruksel përpara Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, Hartmann tha se takimi i sotëm do të përqendrohet në mbështetjen për Ukrainën dhe mënyrat për të zhvilluar më tej aftësitë mbrojtëse evropiane.
“Ne nuk shohim absolutisht asnjë gatishmëri për të negociuar nga Rusia. Sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike po intensifikohen dhe një ofensivë brutale kundër Ukrainës vazhdon”, u tha Hartmann gazetarëve.
“Kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që Ukraina të mund të zhvillojë më tej mbrojtjen e saj ajrore dhe të ruajë disponueshmërinë e municioneve”, tha ai.
Zyrtari gjerman theksoi se evropianët kanë një qëndrim të unifikuar ndaj përpjekjes së fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë. Ai vuri në duke se mbështetja për Kievin duhet të rritet për të forcuar pozicionin e Ukrainës përpara negociatave të mundshme.
“Asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa Ukrainën në tryezë. Vetëm Ukraina mund të vendosë për sovranitetin e saj territorial”, tha Hartmann.
“Pika e tretë dhe thelbësore është se sovraniteti i Ukrainës kërkon një ushtri të fortë ukrainase të aftë për të mbrojtur veten, sepse kjo është ajo që e bën Ukrainën një shtet sovran”, shtoi ai.
