Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar për ndryshime në procedurat e legalizimit të certifikatave të gjendjes civile nga Kosova, të cilat hyjnë në fuqi nga 1 korriku 2026.
Sipas njoftimit, ambasada do të ofrojë shërbime të zgjeruara për legalizimin e certifikatave të lindjes, martesës dhe vdekjes të lëshuara para 19 shkurtit 2013, datë kur në Kosovë është prezantuar regjistri qendror i gjendjes civile.
Autoritetet gjermane theksojnë se data e lëshimit të certifikatës nuk ka rëndësi, por kërkohet që dokumentet origjinale të kenë një shënim aktual të para-autorizimit nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, jo më të vjetër se gjashtë muaj.
Sipas ambasadës, legalizimi mundëson njohjen e drejtpërdrejtë të këtyre dokumenteve në sistemin juridik gjerman, duke lehtësuar procedura të ndryshme administrative, përfshirë martesat dhe aplikimet për viza.
Po ashtu, nga 1 shtatori 2026, certifikatat e gjendjes personale nga Kosova do të pranohen për proceset e vizave gjermane vetëm në formë të legalizuar.
Ambasada e Gjermanisë u bën thirrje qytetarëve të informohen në faqen zyrtare për detaje të mëtejshme mbi procedurat e reja.
