Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania nuk i ndahet dot naftës

Gjermania nuk i ndahet dot naftës

Bashkëpunimi mes industrisë së fuqishme të automobilëve dhe politikës në Gjermani është i madh. Deri para pak kohësh duket se të dyja palët po punonin për t’u hapur rrugën automjeteve që nuk e ndotin shumë mjedisin. Por afera e manipulimeve të makinave me naftë tregon se dikur prodhuesit e automjeteve morën kthesën e gabuar për të shmangur rregullat gjithnjë e më të forta që vendoste politika për tymrat dhe gazrat e dëmshëm.
Kjo bëri që besimin tek prodhuesit e automjeteve ta humbasin jo vetëm konsumatorët por edhe politika. Para Forumit Kombëtar për Automjetet me Naftë kancelarja Merkel kërkoi që prodhuesit e automjeteve të tregohen të sinqertë.
Presion vjen edhe nga bashkitë dhe komunat, sepse në 28 rajone të Gjermanisë ajri është tepër i ndotur. Në qytete të tilla si Shtutgarti apo Dyseldorfi organet e drejtësisë kanë kërcënuar madje se do të marrin vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në këto qytete.
Më tepër elektroautobusë në qytete
Në takimin e ministrave të Mjedisit dhe të Transportit me përfaqësues të prodhuesve të automjeteve, u ra dakord, që 5,3 milionë makina të reja me naftë të markave VW, Daimler dhe BMW, të pajisen me motorë që lëshojnë deri në 30% më pak okside nitrogjeni. Kostot prej rreth 500 milionë eurosh do t’i mbajnë koncernet përkatëse.
Politikanët gjermanë u shprehën të pakënaqur që përfaqësues të firmave të huaja që morën pjesë në takim, nuk treguan asnjë gatishmëri për të bërë një gjë të tillë si koncernet gjermane.
Po ashtu u vendos që të krijohet një fond prej 500 milionë eurosh për të blerë kryesisht autobusë, taksi dhe automjete të tjera për shërbimet komunale, të cilët nuk përdorin karburant por energji elektrike.
Nafta ende në përdorim
Në përfundim të takimit vëzhguesit thanë se rezulatet e tij ishin të pakta. Alexander Dobrindt, ministër i Transportit, dhe Barbara Hendricks, ministre e Mjedisit, u shprehën për “fillimin e një kulture të re besimi” mes prodhuesve të automjeteve dhe politikës, por masat që do të merren nuk duken të mjaftueshme.
Gjermania duket se është ende larg planeve që sikurse në Britaninë e Madhe dhe në Francë deri në vitin 2040  në rrugë të ketë vetëm makina elektrike.
Exit mobile version