Gjermania nuk ka plane për t’u bashkuar me forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza që do të vendoset sipas një marrëveshjeje armëpushimi të rënë dakord dy muaj më parë, transmeton Anadolu.
“Ne nuk do të marrim pjesë në forcat e stabilizimit në të ardhmen e parashikueshme”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul për agjencinë gjermane të lajmeve DPA në Berlin.
I pyetur nëse kjo vlen edhe për trajnimin dhe organizimin, ai u përgjigj: “Në këtë moment, askush prej nesh nuk pret të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar të stabilizimit”.
Megjithatë, Wadephul tha se vendi i tij është i përgatitur të luajë rol konstruktiv në strukturat e përfshira në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së siç është një këshill paqeje. Por, sipas tij, Berlini ende nuk ka marrë ftesë zyrtare për të marrë pjesë në këshill.
– Kërkon fillimin e shpejtë të fazës së dytë të procesit të paqes
Ministri gjerman tha se meqenëse janë zhvilluar konsultime fillestare me kontribuesit potencialë të trupave, tani nevojitet një kornizë politike, përfshirë një arkitekturë sigurie të ofruar nga forcat e stabilizimit dhe forcat palestineze të sigurisë.
“Do të ishte e rëndësishme të fillonim të gjitha këto shumë shpejt. Nuk duhet të lejojmë që ndarja aktuale e Gazës në një pjesë të kontrolluar nga ushtria izraelite dhe një pjesë gjithnjë e më të kontrolluar nga Hamasi të bëhet e përhershme”, shtoi Wadephul.
Qeveria gjermane po ofron ndihmë të gjerë humanitare në Rripin e Gazës dhe ka njoftuar qëllimin e saj për të luajtur rol qendror në procesin e rindërtimit.
