Gjykata Ndërkombëtare Penale ka deklaruar se “kundërshton fuqishëm” sanksionet e reja të SHBA-së ndaj dy gjyqtarëve të gjykatës, duke e etiketuar këtë veprim si një “sulm flagrant” kundër pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, transmeton Anadolu.
Gjykata Ndërkombëtare Penale kritikoi ashpër njoftimin e sanksioneve të reja të SHBA-së ndaj gjyqtarit Gocha Lordkipanidze të Gjeorgjisë dhe gjyqtarit Erdenebalsuren Damdin të Mongolisë.
“Këto sanksione janë një sulm flagrant kundër pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, i cili vepron në përputhje me mandatin e dhënë nga shtetet e saj palë nga të gjitha rajonet”, tha Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Gjykata tha se kur aktorët gjyqësor kërcënohen për zbatimin e ligjit, është vetë rendi ligjor ndërkombëtar që vihet në rrezik.
“Masa të tilla që synojnë gjyqtarët dhe prokurorët që u zgjodhën nga shtetet palë minojnë sundimin e ligjit”, tha gjykata.
Gjykata përsëriti se qëndron fort pas personelit të saj dhe pas viktimave të mizorive të paimagjinueshme.
Sot më herët, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi sanksionet e SHBA-së ndaj dy gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për “angazhim të drejtpërdrejtë” në atë që ai e quajti “shënjestrim i paligjshëm i Izraelit”.
