Ballina Lajmet Kosovë Gjykata Supreme lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën për...

Gjykata Supreme lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të mbrojtjes, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, “me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit”.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari D.K. ishte shpallur fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim i cili ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë.

Kolegji i Gjykatës Supreme ka konstatuar se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë “nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen”.

Sipas njoftimit, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, si dhe video-incizimet nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

“Ngа këto prova është konstatuar se viktima, M.O., ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit,” thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme ka vlerësuar edhe raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë.

Sipas kolegjit gjyqësor, viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, çka mbështet kualifikimin juridik të veprës si “vrasje e kryer në mënyrë mizore”.

U rrëzuan pretendimet për gjendjen mendore dhe substancat narkotike

Kolegji ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike.

Sipas vendimit, këto pretendime “nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta”.

Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

Në përfundim, Gjykata Supreme ka konstatuar se dënimi me burgim të përjetshëm është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Exit mobile version