Ballina Lajmet Kosovë “Thuji, s’i ke parë kurrë”, Prokuroria transmeton bisedat e Thaçit me Fazliun,...

“Thuji, s’i ke parë kurrë”, Prokuroria transmeton bisedat e Thaçit me Fazliun, flasin për dëshminë e Remit

Gjatë gjyqit të dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëakuzuarve të tij, Prokuroria e Specializuar në Hagë (ZPS) ka prezantuar prova që tregojnë për përpjekje për të ndikuar në dëshmitarët dhe zhvillimin e gjyqit.

Prokurori Joshua Hafetz shfaqi fragmente të bisedave të incizuara gjatë takimeve të Thaçit me të bashkëakuzuarit dhe persona të tjerë.

“ZPS do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit, përbënte kërcënim,” tha Hafetz. Ai shtoi se motivi i Thaçit ishte shmangia e dënimit të gjatë në rast se gjendej fajtor për krime lufte.

Prokuroria tha se sapo filloi çështja për krime lufte, Thaçi u përqendrua në pengimin e dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Ai kishte dy lloje dëshmitarësh: personat e brendshëm të UÇK-së dhe viktimat që mund ta implikonin.

Prokuroria pretendoi se Fadil Fazliu kishte marrë udhëzime nga Thaçi se si të ndikonte tek dëshmitari i ZPS-së, Remi. Sipas Hafetz, Fazliu e kontaktoi Remin dhe më pas u takua me të akuzuarin, duke u dhënë udhëzime se si duhej të dëshmonte:

“Thjeshtëzoje, thuaji ‘mos e ngatërro, mos e ngatërro o burrë’.”
“Thuaji ‘në ’94-’98 këta të dy s’i ke parë kurrë. Mbylle’.”
Prokuroria tha se vizitat e Fazliut dhe bisedat e tjera u incizuan dhe dokumentuan në bazë të urdhrave gjyqësorë.

Gjithashtu, gjatë vizitave të tjera, Kilaj mori udhëzime se si një dëshmitar viktimë të ndryshonte dëshminë e tij. “Thaçi nënvizoi rreshtin dhe faqen e dëshmisë paraprake të dëshmitarit, saktësisht se çfarë duhej të ndryshonte ai,” tha prokurori.

Prokuroria theksoi gjithashtu se Thaçi dhe Kuçi diskutuan për tre dëshmitarë, duke përfshirë ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe një viktimë që mund ta implikonte Thaçin. “Ai dha udhëzime se si duhej të dëshmonin,” shtoi Hafetz.

ZPS tha se provat mbështesin të gjitha pikat e aktakuzës dhe se Thaçi përdori vizita të shumta për të nxjerrë informacion konfidencial dhe për të ndikuar tek dëshmitarët. “[Thaçi] dha udhëzime si të jepnin dëshmi, të ishin konciz, të mos i jepnin shumë gojës,” tha prokurori, duke shtuar se Thaçi madje “tallur me dy prej tyre, dhe një nga ta ishte me aftësi të kufizuara.”

Këto biseda dhe vizita përbëjnë pjesën e provave që ZPS i paraqet si përpjekje për të ndikuar në gjyq dhe për të mbrojtur interesin e të akuzuarve.

Exit mobile version