Vendimi e cilëson përdorimin e ligjeve antiterror si “jo proporcional” dhe vë në dyshim qindra ndjekje penale
Në një kthesë të papritur që shënon një humbje të turpshme për qeverinë e kryeministrit Keir Starmer, Gjykata e Lartë e Londrës, ka vendosur sot se ndalimi i grupit “Palestine Action” sipas ligjeve antiterroriste ishte i paligjshëm.
Gjyqtarët arritën në përfundimin se masa e ndërmarrë nga Ministria e Brendshme vitin e kaluar ishte “jo proporcionale”, dhe përbënte një ndërhyrje të rëndë në lirinë e fjalës. Ndalimi, i cili hyri në fuqi në korrik të vitit 2025, erdhi pasi grupi mori përgjegjësinë për dëmtimin e dy avionëve ushtarakë.
Ky veprim e vendosi organizatën në të njëjtën kategori me grupe si Al-Kaeda, duke shkaktuar arrestimin e më shumë se 2.000 personave, shpesh vetëm për mbajtjen e pankartave në protesta.
Vendimi i sotëm vë në dyshim legjitimitetin e qindra ndjekjeve penale që janë ende në proces kundër mbështetësve të grupit. Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues argumentoi se aktivitetet e “Palestine Action” nuk kishin arritur “nivelin, shkallën dhe këmbënguljen” e nevojshme për t’u klasifikuar si terrorizëm’.
Përtej betejës ligjore, “Palestine Action” ka luajtur një rol kyç në sensibilizimin e opinionit publik britanik mbi atë që shumë organizata ndërkombëtare e cilësojnë si gjenocid izraelit në Gaza.
Përmes aksioneve të drejtpërdrejta kundër fabrikave të armëve , grupi arriti të kthejë vëmendjen te bashkëfajësia e industrisë ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në furnizimin e makinerisë së luftës, duke bërë që kauza palestineze të dëgjohej në çdo cep të vendit.
Megjithatë, ky aktivizëm ka pasur një kosto të lartë njerëzore. Mijëra aktivistë janë burgosur ose vazhdojnë të mbahen në burgjet britanike nën akuza të rënda për “terrorizëm”, duke u përballur me kushte të vështira izolimi.
Organizatat e të drejtave të njeriut, kanë denoncuar vazhdimisht përdorimin e këtyre etiketave për të kriminalizuar mospajtimin politik dhe për të frikësuar ata që guxojnë të kundërshtojnë politikën e jashtme zyrtare.
Një nga rastet më prekëse është ai i aktivistes shqiptare Teuta Hoxha, e cila u bë simbol i rezistencës brenda mureve të burgut. Hoxha hyri në një grevë urie disa javore si protestë ndaj trajtimit diskriminues dhe dehumanizues nga ana e autoriteteve.
Rezistenca e saj ekstreme, vuri në pah jo vetëm pasionin e aktivistëve për drejtësi, por edhe metodat e ashpra që shteti britanik ka përdorur për të thyer vullnetin e atyre që mbrojnë të drejtat e popullit palestinez.
Pavarësisht rrëzimit të ndalimit, gjykata ka vendosur që grupi të mbetet teknikisht i ndaluar “deri në një urdhër të mëtejshëm”, duke i dhënë qeverisë një dritare kohore për të apeluar. Megjithatë, aktivistët e konsiderojnë këtë një fitore historike për lirinë e protestës në Britani. /tesheshi
