Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Greqi, protesta paqësore në Athinë pas aksidentit hekurudhor shndërrohet në dhunë

Greqi, protesta paqësore në Athinë pas aksidentit hekurudhor shndërrohet në dhunë

Protesta paqësore në Athinë pas aksidentit hekurudhor që la të paktën 57 të vdekur në fillim të kësaj jave është kthyer në dhunë, raporton Anadolu.

Tubimi, i cili u thirr nga tri sindikata që përfaqësojnë punëtorët e hekurudhave në vend dhe ku morën pjesë sindikata e madhe PAME, partia politike e ish-ministrit të financave Yanis Varoufakis, MeRA25, si dhe grupe të tjera dhe parti të majta, mblodhi së bashku mijëra njerëz në sheshin qendror “Sintagma”.

Gjatë fazës paqësore të protestës, turma bërtiti parulla dhe mbajti pankarta që dënonin qeveritë dhe politikat e tyre ekonomike, të cilat ata thanë se shkaktuan aksidentin tragjik.

Një grup, i përbërë kryesisht nga të rinj me veshje të zeza dhe kapela, më vonë filloi të gjuante gurë të mëdhenj dhe bomba benzine drejt policisë dhe në rrugë.

Një autobus dhe një automjet i rëndë ndërtimi, si dhe shumë kontejnerë plehrash, u dëmtuan pjesërisht ose rëndë nga bombat me benzinë.

Kur forcat e policisë u përgjigjën me shpejtësi me granata lotsjellëse, grupi u largua me vrap drejt rrugëve të ngushta përreth.

Ndërkohë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, në Facebook, tha: “Si kryeministër, u detyrohem një falje të madhe të gjithëve, por mbi të gjitha, të afërmve të viktimave”.

“Si personalisht, edhe në emër të të gjithë atyre që drejtuan vendin për vite të tëra”, shtoi ai.

Të martën mbrëma, një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash rreth qytetit Tempi në provincën veriore Larisa.

Numri zyrtar i të vdekurve është 57, duke përfshirë shumë studentë universiteti dhe nëntë pjesëtarë të ekuipazhit.

Exit mobile version