Për shkak të grevës së përgjithshme në Greqi lidhur me masat shtrënguese dhe politikat ekonomike të qeverisë, shërbimet publike zhvillohen me pengesa, ndërsa haset edhe vështirësi në transport, raporton Anadolu Agency (AA).
Greva organizohet me thirrjen e Federatës së Punonjësve Publik (ADEDY), Konfederatës së Sindikatave të Punëtorëve në Greqi (GSEE) dhe Sindikatave të Frontit të Punëtorëve Luftëtarë (PAME), ndërsa planifikohen demonstrata në kryeqytetin Athinë dhe Selanik.
Dhjetra fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë janë anuluar ose shtyrë për shkak të ndërprerjes së punës për 3 orë nga ana e kontrollorëve ajrorë në orët e mesditës.
Shkollat fillore dhe të mesme në vend do të jenë të mbyllura. Ndërsa spitalet do të japin shërbime vetëm në raste emergjente.
Gjithashtu për shkak të grevës 24 orëshe të punonjësve të hekurudhës dhe të porteve, shërbimet janë anuluar plotësisht. Ndërsa në Athinë autobusët dhe trolejbusët nuk do të shërbejnë.
Në grevë marrin pjesë edhe gazetarët. Greva ka shkaktuar mos transmetimin e edicioneve të lajmeve në televizione ndërsa nesër nuk shtypen gazetat.
Ndërprerjet e reja në pensione dhe rritjet e taksave për vitet 2019 dhe 2022 që është në kuadër të programit të pakove të shpëtimit mes Greqisë dhe kreditorëve e cila përfundon në gusht, ka shkaktuar reagime të shumta.
