Ballina Artikuj Gruaja shtyllë e familjes

Gruaja shtyllë e familjes

Dr. Violeta Smajlaj

Sot jemi mbledhur për të folur për një figurë që shpesh e marrim si të mirëqenë, sepse është gjithmonë aty: Gruaja.
Kur mendojmë për “shtyllën e familjes”, imagjinojmë një strukturë të fortë. Por nëse ndalemi pak, shohim se kjo shtyllë nuk është prej betoni. Është prej dashurie, durimi dhe një pune të heshtur që nuk ndalet asnjëherë. Është gruaja që, me një instinkt të lindur, e shndërron një vendbanim të thjeshtë në atë që ne e quajmë “shtëpi”.
Kur flasim për gruan si shtyllë, nuk i referohemi një roli të kufizuar në privatësi, por një faktori që ndikon drejtpërdrejt në vazhdimësinë e qytetërimit. Çdo shoqëri është pasqyrim i familjeve të saj, e çdo familje mbartë ndikimin e gruas.
Ajo është mësuesja e parë, busulla morale dhe spiranca emocionale. Duke rrënjosur empatinë dhe integritetin, ajo i shndërron shtëpitë në hapësira sigurie. Ky përkushtim nuk është thjesht virtyt familjar, por aset kombëtar.
Siç thoshte Sami Frashëri: “Gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, është shtylla e moralit të përgjithshëm; ajo është lulishtja e njerëzimit dhe, duke hyrë në lidhjen e shenjtë që ndërton familjen, e ka shpëtuar njeriun nga egërsia, duke e çuar në udhën e qytetërimit.”
Ajo sjellë jetë dhe menaxhon jetën. Është ajo që dëgjon të qarat e para të një fëmije dhe mban dorën e një prindi kur ai plaket. Ajo është mësuesja e parë që nuk jep vetëm njohuri, por mëson se si të jesh njeri.
Shpesh flitet për gruan përmes prizmit të “sakrificës së heshtur”. Megjithatë, le ta analizojmë këtë rol si një funksion menaxherial:
-Logjistikë e integruar: Gruaja është koordinatore e orareve, shëndetit dhe edukimit, duke mbajtur gjallë “infrastrukturën” familjare.
-Menaxhim ekonomik: Administrimi i buxhetit familjar është një akt strategjik që siguron stabilitetin mikroekonomik.
-Transmetim kulturor: Ajo është gardiane e vlerave, duke siguruar që kohezioni familjar të mos cënohet nga tranzicionet sociale.
Të nderuar të pranishëm
Nuk mund të flasim për historinë tonë pa folur për gruan shqiptare. Në kohërat kur shkollat ishin të mbyllura dhe liria ishte ëndërr, ajo ishte transmetuesja e gjuhës, ruajtësja e zakoneve dhe ajo që i ushqeu brezat me dinjitet, duke mbajtur gjallë identitetin tonë kur institucionet nuk ekzistonin. Nëpërmjet ninullave, tregimeve dhe edukimit familjar, ajo nuk përcillte vetëm dashuri, por edhe vlera kulturore, kujtesë historike dhe vetëdije kombëtare.
Gjatë Rilindjes, ajo ishte promotore e arsimit, duke e kuptuar se nëna e arsimuar është garancia e një kombi të ndërgjegjshëm.
Gjatë luftës së fundit, një aktore e mbijetesës dhe rezistencës civile, Ajo ishte organizatore e përballimit familjar në kushte të mungesës ekstreme, kujdestare e të plagosurve dhe mbështetje psikologjike për familjen në bodrume, male dhe zona të izoluara. Dalja për të siguruar ushqim ose ujë shpesh nënkuptonte përballje direkte me rrezikun. Në shumë raste, gratë dilnin për furnizim jo vetëm për nevojë materiale, por edhe për të vëzhguar situatën, për të vlerësuar lëvizjet e forcave ushtarake dhe për të informuar familjarët për rrezikun e mundshëm. Kjo formë e “vrojtimeve civile” përbënte një akt të heshtur rezistence dhe mbrojtjeje.
Pas luftës, ishte sërish ajo që mori mbi vete rirregullimin e jetës familjare dhe procesin e shërimit të plagëve e traumave të shoqërisë, e plagosur në shpirt, por e palëkundur në qëndresë. Ky nuk është thjesht heroizëm i së shkuarës, por një dëshmi e aftësisë së saj për t’u shndërruar në spirancë në kohë krizash të mëdha.
Megjithatë, le të jemi të sinqertë mes nesh. Ne shpesh e kemi glorifikuar gruan nëpër festa, duke e quajtur “nëna heroike”, që t’i ngarkojmë asaj një tjetër barrë, duke i mohuar hapësirën për të qenë ajo që dëshiron.
Është e padrejtë që ajo të jetë “shtylla e familjes” dhe njëkohësisht të mos ketë të drejtë mbi pronën, të mos dëgjohet në vendimmarrje, apo të paguhet më pak për të njëjtën punë.
Të nderuar miq, dashuria për gruan nuk shprehet me lule një ditë në vit; ajo shprehet duke i dhënë mundësinë të jetë e lirë, e pavarur dhe e barabartë. Vetëm përmes një qasjeje të drejtë dhe të balancuar mund të ruhet dinjiteti i figurës së saj, pa e mitizuar dhe pa e instrumentalizuar.
Për fund
E ardhmja jonë nuk do të ndërtohet nga ndërtesat e larta, por nga fuqia që ne u japim vajzave dhe grave tona. Kur një grua arsimohet, ne nuk po edukojmë një individ; ne po ndriçojmë një brez të tërë.
Le të mos mjaftohemi vetëm me fjalë, por të marrim një zotim: që gruaja të mos jetë më “shtylla e heshtur” që mban çdo gjë mbi shpinë, por të jetë partnere e plotë, e dëgjuar dhe e vlerësuar në çdo tavolinë ku merren vendime për fatin tonë.
Drejtësia nuk është mohim i dallimeve, por barazim i mundësive. Shoqëria ka nevojë për gra në pozita udhëheqëse, që sjellin jo vetëm kompetencë, por edhe inteligjencë emocionale.
Sfidë mbetet kalimi nga glorifikimi simbolik te vlerësimi konkret: politika të prekshme për balancimin e roleve dhe barazi mundësish. Aty ku lulëzon drejtësia për gruan, lulëzon e ardhmja për të gjithë ne.
Ju faleminderit që jeni këtu dhe që besoni te kjo e ardhme!

Kumtesë e mbajtur në tryezën tematike kushtuar rolit dhe kontributit të gruas shqiptare në Kosovë gjatë proceseve kyçe historike dhe kombëtare, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve të Gjakovës

Exit mobile version