“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”(1)
Mirësitë e Allahut, xh.sh., janë të shumta dhe vijnë si ofertë e veprave në kohë, vende dhe rrethana të ndryshme. Një ndër këto mirësi është edhe oferta e agjërimit të Ramazanit, që zë një vend të veçantë, sepse në të bashkohet vlera e kohës me madhështinë e veprës. Edhe pse, përpjekjet e predikuesve për t’i ndriçuar sa më tepër aspektet dhe manifestimet e këtyre mirësive, nuk kanë reshtur asnjëherë. Është folur, ligjëruar, sqaruar dhe është shkruar shumë për to, por megjithatë ka mbetur edhe shumë për t’u thënë. Mbase, për këto ibadete do të ketë çfarë të flitet deri në Ditën e Fundit.
Agjërimi, si një ndër shtyllat e Islamit, nuk është vetëm ritual fizik(2), por një adhurim me dobi shpirtërore, edukative e shoqërore. Besimtari e kryen atë me dashuri dhe vetëdije, duke qenë i bindur se në çdo urdhër hyjnor ka urtësi të thella.
Agjërimi, ibadet shumëdimensional
Agjërimi i Ramazanit ka ndikim të dyfishtë: në trup dhe në shpirt. Ky adhurim është formë e pastrimit shpirtëror dhe e rehabilitimit shoqëror. Uria e kontrolluar e mëson besimtarin t’i ngrisë dëshirat drejt sferave më të larta morale, dhe ta humanizojë shpirtin e tij. Në këtë muaj, besimtari përmirëson sjelljen, bëhet më i kujdesshëm në falë dhe në vepra, më i ndjeshëm ndaj të varfërve dhe më i gatshëm për pajtim e afrim shoqëror.(3)
Agjërimi dhe hidhërimi, në këtë muaj të bekuar, nuk kanë asgjë të përbashkët. Agjërimi e çliron njeriun nga robëria e epsheve, duke e ngritur shpirtin drejt dëlirësisë. Ky ibadet, të cilin Allahu, xh.sh., e ka bërë detyrë obligative (farz), e çliron njeriun nga kthetrat e epsheve dhe nga burgu i kërkesave të trupit, duke e afruar atë drejt botës së melaikeve dhe pastrimit shpirtëror. Kur njeriut i shtohen begatitë, ai më pak i ndien ato. Andaj, vetëm kur t’i humbë ato, fillon t’i vlerësojë saktë dhe ta kuptojë mirëfilli nevojën e tij për to. Nëpërmjet agjërimit-abstenimit, njihet vlera e mirësisë së kamjes-ushqimit e pijes, që Allahu, xh.sh., na ka furnizuar me to.(4)
Agjërimi forcon durimin e besimtarit. Ai edhe pse është i uritur e i ka ushqimet para vetes, ujin pranë duarve, bashkëshorten afër (për intimitet bashkëshortor), edhe pse i ka të mundshme të gjitha, prapë i përmbahet urdhrit të Allahut, xh.sh. Në këtë rast, nuk e kontrollon askush përveç vetëdijes së tij për Zotin e Madhëruar. Ebu Hurejre, r.a., transmeton se Muhamedi, s.a.v.s., ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit.”(5) Agjëruesi, duke i mbizotëruar epshet, forcohet shpirtërisht dhe bëhet më i aftë t’i rezistojë sfidave të jetës. Në këtë kontekst, dijetari Muhamed Gazali thotë: “Islami e bëri të obligueshëm agjërimin me qëllim që njerëzit të stërviten për të zotëruar epshet e tyre, të mos u nënshtrohen por t’i kontrollojnë ato, që nga agimi gjer në perëndim të diellit. Besimtarët e kanë të ndaluar t’u përgjigjen epsheve të tyre më të fuqishme. Atyre u këshillohet ta stërvitin vetveten me një përkorje(6) të përkohshme, si një mënyrë për ta fituar një shpërblim të çmuar.”(7)
Agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi dhe pija. Ai është një udhëtim i thellë shpirtëror që e ngrit njeriun mbi nefsin, e çliron zemrën nga pesha e kotësive, dhe e afron te Krijuesi i Gjithësisë. Në traditën islame, agjërimi konsiderohet një prej veprave më madhështore të adhurimit, sepse lidh drejtpërdrejt zemrën e besimtarit me Allahun e Madhëruar, dhe forcon vetëdijen e tij.
Agjërimi rrugë drejt devotshmërisë
Devotshmëria është thelbi i çdo ibadeti, e sidomos i agjërimit. Kjo sepse ai kërkon ruajtjen e syve, veshëve, gjuhës dhe zemrës nga harami. Agjërimi është një adhurim i brendshëm i cili nuk shihet nga të tjerët, prandaj është vepra më e sinqertë e besimtarit. Agjërimi është ngritje shpirtërore dhe pastrim i zemrës. Kurani i Lartësuar e përkufizon objektivin e agjërimit: “Që të bëheni të devotshëm.”(8)
Ky ibadet e vendos besimtarin në një gjendje të vazhdueshme kontrolli të vetvetes. Ai e mëson të mbajë nën kontroll dëshirat, fjalët dhe sjelljet, duke e bërë zemrën më të ndjeshme ndaj mëkateve dhe më të afërt ndaj mirësive. Në këtë mënyrë, agjërimi bëhet laborator shpirtëror ku njeriu e ushtron veten për të fituar cilësinë më të lartë të besimtarit – devotshmërinë.
Bazuar në këtë, agjëruesi duhet të evitojë gjithçka që e cenon shenjtërinë e këtij adhurimi, duke e ruajtur dëgjimin, shikimin dhe gjymtyrët tjera nga harami. Ai duhet ta ruajë gjuhën nga fjalët e tepërta dhe banale, të mos i përgjigjet të keqes me të keqe, por me më të mirën e mundshme dhe ta përdorë agjërimin si mburojë ndaj gjynaheve dhe provokimeve.
Agjërimi konsiderohet si adhurimi më i fshehtë, sepse vetëm Allahu, xh.sh., dhe robi, e dinë realisht nëse ai po agjëron. Në një hadith kudsij, Allahu, xh.sh., thotë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: Çdo vepër e njeriut i takon atij-përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe vetëm Unë për të shpërblej (posaçërisht)!”(9)
Kjo e bën agjërimin një akt të pastër sinqeriteti. S’ka vend për syefaqësi, sepse askush nuk e sheh brendësinë e njeriut. Prandaj, shpërblimi i tij është më i madh se çdo vepër tjetër. Sinqeriteti i fituar gjatë agjërimit reflekton në të gjitha aspektet e jetës, sepse zemra mësohet të punojë vetëm për Allahun e Madhëruar, e jo për lavdet e duartrokitjet e njerëzve.
Agjërimi mburojë dhe forcë shpirtërore
Agjërimi është mburojë që e mbron njeriun nga mëkatet, nga fjalët e kota dhe nga sjelljet e pahijshme. Vlerat e larta të këtij adhurimit ndikojnë në të gjitha aspektet e jetës: si në familje, në punë dhe marrëdhëniet shoqërore. Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Agjërimi është mburojë.”(10)
Ai e mbron njeriun nga veset dhe mëkatet, e bën më të qëndrueshëm ndaj provokimeve. Agjëruesi mëson të mos e kthejë të keqen me të keqe, por të mbajë qetësinë dhe moralin. Ai, i cili ia ndalon vetes së vet kënaqësitë e jetës pa asnjë imponim, presion apo ndonjë shkak tjetër, përveç zbatimit të urdhrit të Zotit, dëshmon në këtë mënyrë nënshtrimin e tij ndaj Krijuesit. Ky nënshtrim, rrëfen për sinqeritetin në adhurim me tërë qenien e tij, sikur që e dëshmon me nënshtrimin e trupit, shpirtit dhe mendjes së tij. Hadithi i lartcekur:
“Agjërimi është mburojë (që e ruan besimtarin nga çdo e keqe)… Nëse dikush e sulmon ose e shan, le t’i thotë: “Unë jam agjërues!, dy herë… T
Te Nesaiu kemi një version tjetër, ku thuhet :”Agjërimi është mburojë po qe se nuk e shpon-grisë atë” Një shokë i tha Pejgamberit a.s.: “Me çka ta shpon-grisë atë ?” Ai, a.s., i tha: “Me rrenë dhe bartje fjalësh.”(11)
Në bazë të këtyre haditheve kuptojmë se, Pejgamberi, a.s., nuk kërkoi vetëm largimin nga fjalët dhe veprat e liga, sepse një gjë e tillë kërkohet edhe jashtë Ramazanit e në çdo kohë, por kërkoi që të lë diçka nga e drejta e tij, pra, që të mos i përgjigjet atij që e fyen ose e shan edhe pse është e drejtë e tij që të mbrojë veten dhe personalitetin e tij. Por, nga agjëruesi kërkohet që, ashtu siç e la ushqimin dhe pijen, t’i lë e t’i falë edhe ata që e fyejnë, duke iu thënë: “Unë jam agjërueshëm, pra, nuk do t’jua kthej përgjigjen që meritoni. Kjo ngaqë, ai që agjëron është shembull për të tjerët, është njeri që i është dorëzuar Allahut të Madhëruar, me të gjitha gjymtyrët dhe qenien e tij.
Dobitë edukative të agjërimit
Asnjë ibadet që ka përcaktuar Allahu, xh.sh., për robërit e Tij, nuk është pa urtësi dhe mësime të rëndësishme. Mosnjohja jonë ndaj urtësisë së një ibadeti, nuk do të thotë se në të nuk ka të mira dhe dobi. Përkundrazi, ky është argument për paaftësinë dhe pafuqinë tonë në njohjen e urtësive të shumta, në obligimet dhe adhurimet që i kemi ndaj Allahut, xh.sh.
Agjërimi ka dobi edukative dhe ndikime rregulluese të mëdha, mbi sjelljet morale të njeriut dhe lidhjet e tij me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Feja Islame nuk e obligoi adhurimin e agjërimit vetëm për atë që njeriu të mos hajë e të mos pijë, por e bëri edhe mbrojtje të njeriut nga çdo gjë e ndaluar ku mund të bie ai, qoftë me fjalë apo me vepra.
Ebu Hurejre, r.a., transmeton se Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Agjërimi nuk është vetëm abstenim nga ushqimi dhe pija, por agjërimi (i vërtetë) është largim nga fjalët e kota dhe të ndyta…”(12) Gjithashtu, në një hadith tjetër ka thënë: “Ka disa prej agjëruesve që nuk përfitojnë asnjë nga agjërimi i tyre përveç urisë!”(13)
Nga këto hadithe kuptojmë se, agjërimi nuk është një proces i thjeshtë shkëputjeje apo abstenimi nga ushqimi dhe pija, por një obligim që synon ta ndalojë njeriun nga gjërat e ndaluara, t’ia rrisë atij ndjenjën e besimit, si dhe ta edukojë atë me një edukatë hyjnore, të shëndoshë, morale e shpirtërore.
Agjërimi ndikon në edukimin e njeriut në dy drejtime
Së pari: e ndalon njeriun dhe e largon atë nga gjërat e ndaluara, nga gjërat me të cilat nuk duhet të merret, si: gënjeshtra, shpifja, grindjet dhe armiqësimi me të tjerët… etj., dhe,
Së dyti: ai është inkurajim dhe nxitje, që synon ta ngrisë nivelin moral e shpirtëror të njeriut. Ai motivon njeriun në virtyte të larta e të pëlqyera, si: lëmosha, lutja, leximi i Kuranit, përmendja e Allahut, xh.sh., dhe kryerja e veprave të mira, cilado qofshin ato. Ne do të ndalemi pak te pika e parë: Ebu Hurejre, r.a., transmeton se Muhamedi, a.s., ka thënë: “Allahu nuk ka nevojë që të lërë ushqimin dhe pijen ai që nuk i lë gënjeshtrën dhe punët e këqija (gjatë agjërimit).”(14)
Ngjashëm me fjalën gënjeshtër, që u theksua në hadith, është edhe çdo mëkat tjetër që manifestohet me gjuhë, si: përgojimi dhe bartja e fjalëve, lëndimi i të tjerëve, sharja dhe sidomos të folurit me fjalë që kanë për qëllim përçarjen. Por, këtu mund të përfshihen edhe veprat tjera jofisnike, që mund t’i bëjë njeriu me gjymtyrët e tij, siç janë: veprat e liga me anë të syrit, si shikimi me qëllim i gjërave të ndaluara, ose me vesh, si dëgjimi i atyre fjalëve të pamoralshme e që janë të ndaluara, ose me zemër, siç janë urrejtja e xhelozia, me këmbë, siç është shkuarja në vende të amoralitetit dhe mëkateve, por edhe ato që manifestohen me dorë, siç është marrja e pasurisë së njerëzve pa pasur të drejtë, vjedhja, goditja e tjetrit pa të drejtë, etj.(15) Kjo tregon se, vlerat shpirtërore të agjërimit maten përmes sjelljes. Agjëruesi duhet të jetë i butë, falës, larg fjalëve të kota dhe konflikteve. Ky lloj agjërimi e rrit etikën dhe moralin shoqëror. Ramazani është një muaj i edukimit të trupit, mendjes dhe shpirtit. Ai krijon besimtarë më të fortë, më të dëlirë dhe më të ndërgjegjshëm.
Për fund, le të duket te ne madhështia e agjërimit! Të mos e bëjmë ditën e agjërimit tonë si ditët kur nuk agjërojmë! Vetëm në këtë mënyrë, reflektojmë ndikimin e agjërimit për ta pasuruar moralin dhe sjelljet tona.
Urojmë që ky adhurim të na bëjë më të pastër në zemër, më të butë në fjalë, dhe më të fortë në shpirt.
_________________________________________________
1. El Bekare, 183.
2. RITUAL m. libr 2. Tërësia e veprimeve të jashtme, që bëhen në mënyrë të rregullt e të pandryshueshme për të kryer diçka. Ritual i ri (i vjetër). Rituali i ngrënies (i mikpritjes). Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. Rilindja, Prishtinë. 1981. f, 1667
3. Bashkim Aliu, Shkrime Ramazani, Furkan 2014 Shkup f. 21.
4. Doc. Dr. Shefik Kurdiq, Ramazani dhe namazi i teravive në dritën e medhhebit Hanefij, Sira Prishtinë, 2004. f. 51
5. Ibn Maxhe (341).
6. PËRKORE f. . Masë a përmbajtje në të ngrënë e në të pirë, qokë. Ka përkore. Ha me përkore. – Kufizim në kënaqësitë trupore, heqje dorë nga këto kënaqësi. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. Rilindja, Prishtinë. 1981. f, 1443.
7. Muhamed Gazali, Feja jonë, Fondacioni VV.A.M.Y., Tiranë, 2003. F. 117.
8. El-Bekare, 183.
9. Buhariu, 5927. Muslimi, 1151.
10. Buhariu, 1894.
11. Nesaiu, 2233.
12. Hakimi, 1570.
13. Ibni Maxlieh, 1690.
14. Buhariu, 1903.
15. Vehbi Sulejman Gavoçi. Dispozitat e agjërimit. Shtëpia botuese “Dituria Islame” Prishtinë 2008. f. 57.
