Një grup hebrenjsh belgë i bënë thirrje Belgjikës dhe Evropës që të vendosin sanksione kundër Izraelit, pasi palestinezët në Gaza, Bregu Perëndimor dhe Kudsit Lindor vazhdojnë të përballen me shkelje të të drejtave të njeriut, raportoi të hënën agjencia e lajmeve Belga, transmeton Anadolu.
Grupi lëshoi një letër të hapur, duke kërkuar që Izraeli të mos gëzojë më pandëshkueshmëri për veprimet e tij kundër palestinezëve. Ai kritikoi ligjin e fundit të Tel Avivit për dënimin me vdekje, duke paralajmëruar se ai do të zbatohet vetëm për palestinezët.
Grupi denoncoi gjithashtu ofensivën ushtarake të Izraelit në Liban, duke theksuar se ajo shkakton mijëra vdekje dhe shpërngulje të gjerë.
Ai i bëri thirrje qeverisë belge dhe Bashkimit Evropian që të ndalojnë importet nga vendbanimet izraelite dhe i kërkoi bllokut të pezullojë gjithashtu marrëveshjen e asocimit me Izraelin.
Nënshkruesit përfshinin autorin Vincent Engel, ish-deputeten e Brukselit Simone Susskind, ish-redaktorin e Revue Politique, Henri Goldman dhe ish-presidenten e Lidhjes së të Drejtave të Njeriut Olivia Venet.