Ballina Lajmet Kosovë Gucati: Mungesa e Calit në varrimin e babait të tij rëndon dhimbjen...

Gucati: Mungesa e Calit në varrimin e babait të tij rëndon dhimbjen e familjes Mustafa

Është varrosur Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës – i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për akuza që kanë të bëjnë me krime lufte.

Në ceremoninë e varrimit të Jahja Mustafës, Hysni Gucati kryetar i OVL- UÇK theksoi se pavarësisht dhimbjes, familja do të gjejë forcë për të përballuar këtë humbje, megjithatë ai i kritikoi ashpër Dhomat e Specializuara në Hagë, për moslejimin e vizitës humanitare për ish-pjesëtarin e UÇK-së, Salih Mustafa – Cali.

“Unë e di që Cali mes dhimbjes do ta gjejë edhe forcën. Ne e dimë që kjo gjykatë është shumë e dëmshme për vendin, dhe ishte dashur që kjo gjykatë ta lejoj Calin që të vijë në vizitë humanitarë para 5 ditësh, ne kemi bërë kërkesë dhe mbrojtja e Calit ka bërë kërkesë që ta liroj Calin që të vijë të paktën ta vizitoj babanë sa ishte në spital gjallë dhe ndodhi e kundërta. Sot nuk e liruan dhe unë kam menduar që të paktën sot do ta lirojnë në varrim, sepse Cali ishte i dënuar me verdikt 15 vite burg padrejtësisht, i dënuar me dëshmitar të rrejshëm dhe të falsifikuar. ….. Prej kësaj qeverie nuk presim asgjë kjo qeveri është për turpin e shqiptarëve që është në pushtet”, U shpreh ai

Valon Murati mik i Sali Mustafës, tha se mungesa e Calit në varrimin e babait e rëndon dhimbjen edhe më shumë, pasi që sipas tij, është dënuar nga Dhomat e Specializuara padrejtësisht dhe për këtë arsye nuk është i pranishëm.

“Dhimbja sot është e trefishtë, është e trefishtë, sepse po e humbim bacën Jahë, pra po e humbim një njëri të dashur një njëri që ka dhënë kontribut, një njëri që ka qenë shpi e madhe e lirisë së Kosovës. Po, e humbim dhe ndjejmë dhimbje edhe që nuk e kemi Calin këtu është një dhimbje e dyfishtë, e kemi djalin e tij shokun tonë të dashur një nga njerëzit me kontribuues për lirinë që e kemi sot. Por e kemi edhe një dhimbje tjetër, sepse ai nuk është këtu për shkak një padrejtësie të madhe që po na shkaktohet pra është kjo padrejtësi e cila dhimbjen e bënë edhe më të madhe. Cali nuk është këtu sepse është i dënuar në mënyrë të pa drejtë fatkeqësisht nga një gjykatë e pa drejtë e cila flet në emër tonë por nuk vepron në emrin tonë”, theksoi ai.

Babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa ka ndërruar jetë një ditë parë.

Salih Mustafa – Cali, ish-pjesëtar i UÇK-së, po vuan dënimin me 15 vjet burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pas vdekjes së babait të tij, familjarë dhe bashkëluftëtarë kanë reaguar ashpër ndaj moslejimit të vizitës humanitare dhe pjesëmarrjes së tij në varrim, duke e cilësuar këtë si padrejtësi dhe mungesë ndjeshmërie humane.

Exit mobile version