Ballina Lajmet Kosovë Hajnat shënjestrojnë xhamitë në Kamenicë, tri raste brenda pak ditësh

Hajnat shënjestrojnë xhamitë në Kamenicë, tri raste brenda pak ditësh

Tri fshatra të Kamenicës; Shipashnicë, Topanicë dhe Rogoqicë kanë qenë cak i vjedhjeve gjatë ditëve të fundit.

Por këtë herë, shënjestër nuk kanë qenë shtëpitë e zakonshme, por objektet fetare, konkretisht xhamitë.

Në fshatin Shipashnicë e Poshtme, një qytetar ka raportuar se përmes kamerave të sigurisë ka vërejtur një person që ka hyrë në xhami, ka thyer kasafortën dhe ka marrë rreth 300 euro para të gatshme.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 6 prill, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më herët. Lidhur me këtë rast, është njoftuar prokurori dhe hetimet janë në zhvillim.

Ndërkohë, në fshatin Topanicë, imami i xhamisë ka raportuar se persona të panjohur kanë thyer kasafortën e objektit fetar, por nuk kanë arritur të marrin asgjë nga aty. Edhe ky rast është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

Një tentativë e ngjashme është regjistruar edhe në fshatin Rogoqicë, ku sipas raportimit, një person ka hyrë në xhami dhe ka tentuar të thyejë kasafortën me mjete të forta, por pa sukses. Kasaforta është dëmtuar, por nuk është arritur të hapet.

Për të tri rastet është njoftuar prokurori, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve.

Exit mobile version