Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez tha sot se hakerët kanë aksesuar “dhjetëra skedarë konfidencialë” gjatë një sulmi kibernetik që shënjestroi ministrinë javën e kaluar, duke konfirmuar se janë aksesuar baza të dhënash të ndjeshme të zbatimit të ligjit, transmeton Anadolu.
Duke folur për transmetuesin “Franceinfo”, Nunez tha se ministria ishte viktimë e një ndërhyrjeje kibernetike që rezultoi në nxjerrjen e “disa dhjetëra” skedarëve, përfshirë të dhëna nga sistemi i përpunimit të të dhënave penale dhe dosja e personave të kërkuar.
“Këto janë skedarë që janë të rëndësishëm për ne”, tha Nunez duke theksuar se autoritetet ende po vlerësojnë fushëveprimin e plotë të shkeljes. “Ne ende nuk e dimë shkallën e dëmit. Deri më sot, disa dhjetëra skedarë janë hequr nga sistemi, por po flasim për miliona të dhëna”, shtoi ai.
Ai e përshkroi incidentin si “një akt serioz”, duke theksuar se hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar saktësisht se çfarë informacioni është aksesuar dhe nxjerrë. Ministria e Brendshme konfirmoi se sulmi përfshin shkelje të shërbimeve të saj profesionale të email-it gjatë natës së 11-12 dhjetorit.
Në një deklaratë për BFMTV, ministria tha se analiza tregoi “një ndërhyrje në llogaritë profesionale të email-it që përmbanin informacione identifikuese, marrja e të cilave bëri të mundur aksesin në aplikacionet e biznesit”.
Autoritetet franceze nuk kanë zbuluar identitetin e autorëve të krimit ose nëse të dhënat janë ndarë apo keqpërdorur. Shërbimet e sigurisë vazhdojnë hetimet teknike ndërsa janë marrë masa për të forcuar mbrojtjet dhe për të kufizuar rreziqet e mëtejshme.
