Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hamasi dorëzon mbetjet e pengut izraelit sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza

Hamasi dorëzon mbetjet e pengut izraelit sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza

Grupet palestineze Hamas dhe Xhihadi Islamik kanë kthyer sot trupin e një pengu tjetër izraelit në veri të Gazës, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite konfirmoi se ekipet e Kryqit të Kuq kanë marrë arkivolin e një pengu dhe janë nisur për ta dorëzuar trupin tek ushtria izraelite brenda Gazës.

Dorëzimi ishte pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi më 10 tetor në Gaza.

Izraeli këmbëngul se trupat e dy pengjeve mbeten ende në Gaza, duke pretenduar se një nga trupat e dorëzuar nga Hamasi nuk i përkiste asnjë prej të rrëmbyerve të tij dhe se një tjetër grup mbetjesh nuk ishte i ri, por i përkiste një pengu që ishte gjetur më parë.

Pas dorëzimit, fraksionet palestineze bënë thirrje për ushtrimin e presionit ndaj Izraelit që të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Ata u bënë thirrje ndërmjetësve dhe garantuesve të marrëveshjes së armëpushimit të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve izraelite për hapjen e pikës kufitare Rafah në të dy drejtimet, ashtu siç parashihet në marrëveshje dhe në Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sot më herët, organi ushtarak izraelit COGAT pretendoi se pika kufitare Rafah do të hapet për daljen e palestinezëve në ditët e ardhshme, në koordinim me Egjiptin.

Egjipti, megjithatë, e mohoi pretendimin, duke vënë në dukje se çdo hapje duhet të bëhet në të dy drejtimet, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 70.000 njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171.000 të tjerë në ofensivën e saj brutale që gjithashtu e ka lënë enklavën në rrënoja.

Exit mobile version