Lëvizja palestineze Hamas ka njoftuar se u ka dhënë ndërmjetësve informacionin për vendndodhjen e trupit të ushtarit të fundit izraelit që mbahej në Gaza, duke shtuar se forcat izraelite kanë nisur kërkime në bazë të këtyre të dhënave.
Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Brigadat Al-Qassam, tha të dielën se grupi ka ndarë “të gjitha detajet e disponueshme” lidhur me trupin e ushtarit izraelit Ran Gvili. Sipas tij, ushtria izraelite po kryen kërkime në një nga lokacionet e përmendura, bazuar në informacionin e ofruar.
Ai theksoi se Hamasi e ka trajtuar çështjen e pengjeve dhe të trupave me “transparencë të plotë”, duke deklaruar se Brigadat Al-Qassam kanë përmbushur detyrimet e tyre sipas marrëveshjes së armëpushimit, duke dorëzuar të gjithë pengjet dhe trupat “sa më shpejt që ishte e mundur”. Në të njëjtën kohë, ai akuzoi Izraelin se nuk e ka zbatuar plotësisht marrëveshjen.
Zëdhënësi shtoi se grupi synon mbylljen përfundimtare të kësaj çështjeje dhe u bëri thirrje ndërmjetësve të sigurojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes.
Nga ana tjetër, autoritetet izraelite konfirmuan se kanë nisur një operacion kërkimi për gjetjen e trupit të Gvilit, duke u bazuar në informacione se ai mund të jetë varrosur në një varrezë myslimane në lindje të qytetit të Gazës, pranë lagjeve Shejaiya, Daraj dhe Tuffah. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se kërkimet në veri të Gazës do të vazhdojnë “aq sa të jetë e nevojshme”.
Në muajt e fundit, Izraeli ka lidhur hapjen e anës palestineze të pikës kufitare të Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit me kthimin e trupit të pengut të fundit izraelit nga Gaza. /mesazhi
