Ballina Lajmet Kosovë Hapet xhamia e re shqiptare në qendër të Gjenevës

Hapet xhamia e re shqiptare në qendër të Gjenevës

Në një atmosferë festive, me recitimin e vargjeve kuranore dhe intonimin e himnit kombëtar, banorët e Gjenevës dhe xhematet e besimtarëve myslimanë nga Zvicra, sot përuruan xhaminë “Dituria”, të drejtuar nga imami Rijad Aliu.

Bashkë me autoritetet zvicerane, në këtë ceremoni morën pjesë edhe krerët e komuniteteve myslimane shqiptare, si: Skënder Bruçaj (kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë), Naim Ternava (kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës), përfaqësues nga lugina e Preshevës dhe nga Maqedonia.

Në fjalën e tij, këshilltari administrativ dhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Gjenevës, Thierry Apothéloz, përshëndeti komunitetin shqiptar për hapjen e xhamisë dhe uroi që kjo qendër fetare dhe kulturore të shërbejë për dituri të reja dhe fqinjësi të mirë.

“Shqiptarët janë dëshmuar si shembull i tolerancës”, ka thënë ai.

Këtë e theksoi edhe Montasar BenMrad, president i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, i cili tha se “toleranca ndërfetare e shqiptarëve në Zvicër, bashkë me integrimin e tyre në këtë vend, duhet të shërbejnë si shembull për komunitetet e tjera fetare”.

Xhamia “Dituria” e cila hapi dyert për 15 mijë shqiptarë në Gjenevë, u ndërtua pas një angazhimi aktiv të këshillit të kësaj xhamia dhe përkrahjes të besimtarëve myslimanë dhe autoriteteve zvicerane.

Autoritetet zvicerane dhe policia e Gjenevës kanë shprehur mirënjohje për rregullin dhe disiplinën e treguar nga pjesëmarrësit gjatë kohës së përurimit.

Exit mobile version