Ngjarjet e mëdha shpesh paraprihen nga shenja dhe ndodhi që paralajmërojnë afrimin e tyre dhe tregojnë se ato do të ndodhin. Allahu i Lartësuar e parapriu lindjen dhe dërgimin e Profetit tonë Muhamed (a.s) me ngjarje të mëdha që janë regjistruar në siren e Profetit (a.s) dhe në historinë e njerëzimit. Prej tyre është edhe gërmimi për të gjetur pusin e Zemzemit nga gjyshi i Profetit (a.s), Abdul Mutalibit.
Uji i Zemzemit, siç është vërtetuar dhe dihet, është uji më i mirë mbi faqen e tokës. Nga Abdullah ibn Abasi (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Uji më i mirë mbi faqen e tokës është uji i Zemzemit; ai është ushqim që të ngop dhe shërim nga sëmundja.”[1]
Po ashtu, Ebu Dherr el-Gifari (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë për ujin e Zemzemit: “Ai është i bekuar; është ushqim që të ngop dhe shërim nga sëmundja.”[2]
Shprehja “uji më i mirë mbi faqen e tokës” do të thotë se ai është më i miri ndër të gjitha llojet e ujërave. Ai është pusi i njohur që gjendet në Qabe. “Ushqim që të ngop” domethënë e zëvendëson ushqimin, e ngop dhe e forcon atë që e pi, ashtu siç e forcon ushqimi; “shërim nga sëmundja”, pra është shërim për njerëzit kur pihet me nijet të mirë dhe me besim.
Sa shumë muslimanë janë sprovuar me sëmundje dhe, pasi kanë ardhur te pusi i Zemzemit dhe kanë pirë prej tij me nijet shërimi, janë shëruar me lejen dhe mirësinë e Allahut.
Ibn Kajjim el-Xheuzije ka thënë në librin e tij Zadul Mead: “Uji i Zemzemit është lloji mw mirw i ujërave, më fisniku dhe më i larti në vlerë, më i dashuri për shpirtrat dhe më i çmuari tek njerëzit. Ai është goditja (burimi) i Xhibrilit dhe ujitja e Allahut për Ismailin… Kam provuar unë dhe të tjerë gjëra të çuditshme në shërimin me ujin e Zemzemit; jam shëruar prej disa sëmundjeve me lejen e Allahut, dhe kam parë njerëz që janë ushqyer vetëm me të për ditë të tëra, afro gjysmë muaji ose më shumë, pa ndier uri.”
Vlera e ujit të Zemzemit është e vërtetuar në shumë hadithe të Profetit (a.s). Dobitë e tij shëndetësore janë vërtetuar edhe përmes përvojës. Nuk ka haxhi apo umrexhi që të mos ketë pirë prej këtij pusi, uji i të cilit nuk shteron kurrë, pavarësisht sa merret prej tij. Ai buron prej mijëra vitesh pa u tharë, duke rrjedhur me urdhrin dhe mirësinë e Allahut të Lartësuar.”
Historia e hapjes së pusit Zemzem
Safiu Rahman Mubarekfuri ka thënë: “Pusi u zhduk – një herë – në epokën e xhahilijetit dhe vendi i tij nuk dihej. Para ardhjes së Islamit, gjyshi i të Dërguarit, Abdul Mutalibi, pa në ëndërr dikë që i tregonte vendin e pusit dhe e urdhëronte ta hapte atë. Ai u zgjua dhe vrapoi me nxitim pranë Qabes, pastaj filloi të gërmonte në vendin që kishte parë në ëndërr, derisa vizioni iu bë realitet.”
Historia e hapjes së pusit Zemzem është transmetuar nga Ibn Is’haku në siren profetike nga Bejhakiu në librin “Delailun Nubuue”, si dhe nga Ibn Kethiri në “El-Bidaje ue’n-Nihaje”, në hadithin e saktë Ali ibn Ebi Talibit (r.a), nw të cilin thuhet: “Ndërsa Abdul Mutalibi ishte duke fjetur në Hixhr (pranë Qabes), iu afrua dikush dhe i tha: “Gërmo Berreh” (një nga emrat e Zemzemit). Ai tha: “Çfarë është Berreh?” Pastaj ai u largua prej tij. Të nesërmen fjeti sërish në të njëjtin vend dhe iu tha: “Gërmo el-Mudnuneh (e çmuara, e vyera).” Ai tha: “Çfarë është el-Mudnuneh?” Pastaj u largua prej tij. Të nesërmen fjeti sërish dhe iu tha: “Gërmo Tajjibeh” (një nga emrat e Zemzemit). Ai tha: “Çfarë është Tajjibeh?” Pastaj u largua prej tij. Kur erdhi dita tjetër, ai u kthye dhe fjeti sërish në vendin e tij, dhe iu tha: “Gërmo Zemzemin.” Ai tha: “Çfarë është Zemzemi?” Iu tha: “Ajo nuk shteron dhe nuk pakësohet (uji i saj nuk mbaron dhe nuk bëhet i paktë).” Pastaj iu përshkrua vendi i saj, kështu që ai u ngrit dhe filloi të gërmonte aty ku iu tregua.
Kurejshët i thanë: “Çfarë është kjo, o Abdul Mutalib?” Ai tha: “Jam urdhëruar të gërmoj Zemzemin.” Kur e zbuluan dhe panë shenjat e pusit, thanë: “O Abdul Mutalib, ne kemi pjesë me ty në të, sepse ky është pusi i babait tonë Ismailit. Ai tha: “Nuk është për ju; unë jam veçuar me të.” Ata thanë: “A do të gjykohesh me ne?” Ai tha: “Po.” Ata thanë: “Midis nesh dhe teje është fallxhorja e Benu Sa’d ibn Huzejmit”, e cila ishte në skajet e Shamit.
Abdul Mutalibi u nis drejt Shamit me një grup nga Benu Umejje dhe nga çdo degë e fiseve të Kurejshëve. Toka ndërmjet Hixhazit dhe Shamit, në atë kohë ishte shkretëtirë e thatë. Kur arritën në një nga ato vende të shkreta, uji i Abdul Mutalibit dhe i shokëve të tij mbaroi, derisa u bindën se do të vdisnin. Kërkuan ujë nga të tjerët, por ata thanë: “Nuk mund t’ju japim, sepse frikësohemi se do të na ndodhë e njëjta gjë.”
Abdul Mutalibi i tha shokëve: “Çfarë mendoni?” Ata thanë: “Ne ndjekim mendimin tënd.” Ai tha: “Mendoj që secili prej jush të hapë një gropë për vete; sa herë që dikush vdes, shokët e tij ta fusin në gropën e tij, derisa i fundit ta varrosë tjetrin. Humbja e një njeriu është më e lehtë se humbja e të gjithëve.” Ata vepruan kështu.
Pastaj ai tha: “Pasha Allahun, të dorëzohemi me duart tona në vdekje pa u përpjekur në tokë për të kërkuar, sakaq ndoshta Allahu do të na japë ujë, është paaftësi.” Ai i tha: “Nisuni!” Ata u nisën. Kur ai hipi në devenë e tij dhe ajo u ngrit, nën thundrën e saj shpërtheu një burim me ujë të ëmbël. Ai ndaloi, ndaluan edhe shokët e tij; pinë, morën ujë dhe u dhanë edhe të tjerëve. Pastaj i thirrën shokët e tjerë: “Ejani te uji! Allahu na ka dhënë ujë!” Ata erdhën, pinë dhe morën ujë.
Pastaj ata thanë: “O Abdul Mutalib! Pasha Allahun, çështja është vendosur në favorin tënd. Ai që të dha ujë në këtë shkretëtirë është Ai që të dha Zemzemin. Shko, ai është për ty; ne nuk do të polemizojmë me ty.”
Ibn Ethiri ka thënë: “Në hadithin e Zemzemit thuhet: “I erdhi dikush dhe i tha: “Gërmo Berreh.” U quajt Berreh për shkak të dobive të shumta dhe bollëkut të ujit të saj.”
Pusi Zemzem ka shumë emra. Ibn Mendhur në veprën e tij “Lisanul Arab”, duke transmetuar nga Ibn Berri, përmend dymbëdhjetë emra të Zemzemit. Dijetarët kanë përmendur shumë arsye për këto emërtime dhe secilin emër e kanë shpjeguar me një shkak që përputhet me mendimin që kanë parapëlqyer. Ky dallim ka lindur për shkak se nuk ka ardhur ndonjë tekst i qartë nga Sheriati për këtë çështje.
Shemsudin Er Remli në librin “Fet’hatul-Uehhab bi Teudih Sherh Menhexh et-Tul-labi” i ka përmbledhur këta emra duke thënë: “Origjina e saj është nga goditja e tokës nga Xhibrili me krahun e tij, kur Haxherja dhe djalin e saj Ismailin i kaploi etja, pasi Ibrahimi (a.s) i vendosi aty me urdhrin e Allahut të Lartësuar. Kur uji shpërtheu dhe u përhap mbi sipërfaqen e tokës, Haxherja i tha: “Zem zem”, që do të thotë: “Mblidhu, o i bekuar!” Ai u mblodh dhe kështu u quajt Zemzem. Thuhet edhe “Zemazim”. Është thënë se u quajt kështu sepse kur uji doli, rridhte djathtas e majtas, dhe ajo tha “zemm” (e ndali) duke grumbulluar rërë rreth tij. Është transmetuar: “Sikur nëna juaj Haxherja të mos e kishte rrethuar atë, do t’i kishte mbushur luginat e Mekës.” Thuhet gjithashtu se u quajt kështu sepse u dëgjua prej saj një zë i ngjashëm me zhurmën e kalit kur pi ujë, që quhet me këtë emër. Ajo ka shumë emra: Zemzem, Hezmetu Xhibril (Goditja e Xhibrilit), Sukja Allah Ismail (Ujitja e Allahut për Ismailin), Bereke (Bekim), Masune (E ruajtur), Aune (Ndihmë), Bushra (Përgëzim), Sahibe (Shoqëruese), Berreh (Bamirëse), Ismeh (Mbrojtje), Salime (E sigurt), Mejmun (Fatlumë), Mu’thibe (E ëmbël), Kafije (E mjaftueshme), Tahire (E pastër), Haremije (E shenjtë), Merurije, Mu’nise (Ngushëlluese), Tajjibe (E mirë), Shiba’atu’l-‘ijal (Ngopje për familjen), Ta’amu tu’m (Ushqim që ngop), Shifa’u sekam (Shërim për sëmundjen).”
Pusi Zemzem është pusi më i njohur mbi faqen e dheut, për shkak të pozitës së tij tek myslimanët në përgjithësi, dhe tek ata që kryejnë ritet e Haxhit dhe Umres në veçanti. Ai është ai pus i bekuar që Xhibrili e nxori me thembrën e tij për Ismailin dhe nënën e tij Haxheren, pasi i Dërguari i Allahut dhe miku i Tij, Ibrahimi (a.s), i la ata me urdhrin e Allahut në atë luginë të shkretë, pa bimësi dhe pa ujë, kur atyre u mbaroi furnizimi dhe uji.
Haxherja u lodh nga kërkimi, duke vrapuar mes Safas dhe Merves, duke shikuar në horizont ndoshta do të gjente ndonjë ndihmues që ta shpëtonte, derisa e përshkoi shtatë herë atë rrugë. Pastaj u kthye te djali i saj dhe dëgjoi një zë. Tha: “E dëgjova zërin tënd, më ndihmo nëse ke ndonjë të mirë!” Atëherë Xhibrili goditi tokën dhe uji shpërtheu. Nëna e Ismailit e rrethoi me rërë për ta përmbajtur, nga frika se mos i shpëtonte, para se të sillte enën. Ajo piu dhe i dha edhe djalit të saj.
Këtë ngjarje e ka transmetuar gjerësisht imam Buhariu në Sahihun e tij.
Imam Neveviu në “El-Mexhmu Sherh el-Muheddheb” ka thënë: “Është thënë se u quajt Zemzem për shkak të bollëkut të ujit të saj; thuhet: ujë zemzem, zemzum dhe zemazim kur është i shumtë. Është thënë gjithashtu se quhet kështu për shkak të mbledhjes së ujit nga Haxherja (r.a) kur shpërtheu, dhe për “zemmin” (mbledhjen, ndalimin) e saj. Është thënë edhe për shkak të zërit (“zemzeme”) të Xhibrilit dhe fjalës së tij.”
Hapja e pusit Zemzem nga ana e Abdul Mutalibit, gjyshit të Profetit (a.s), ishte një nga ngjarjet e mëdha dhe të rëndësishme që i paraprinë lindjes dhe shpalljes së Profetit tonë Muhamed (a.s).
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Tabaraniu.
[2] – Tabaraniu.
