Ballina Lajmet Kosovë Haradinaj bën thirrje për ulje të çmimit të naftës

Haradinaj bën thirrje për ulje të çmimit të naftës

Një problem me të cilin po përballen së fundmi qytetarët e Kosovës është çmimi i lartë i derivateve.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për ulje të çmimit të naftës derisa ka akuzuar kompanitë që shesin naftë se kanë dëmtuar financiarisht qytetarët me çmimin e lartë.

“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.

Haradinaj i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ulur çmimin e naftës që ka dëmtuar qytetarët e Kosovës.

“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë”, thotë Haradinaj.

“Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, ka shkruar ai në Facebook.

Exit mobile version