Ballina Lajmet Kosovë Haxhinjtë kosovarë priten me lot gëzimi dhe emocione në Prishtinë

Haxhinjtë kosovarë priten me lot gëzimi dhe emocione në Prishtinë

Grupi i parë prej 216 haxhilerëve kosovarë sot u kthyen në atdhe. Me këtë rast, aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë ishte i mbushur me familjarë të cilët prisnin të afërmit e tyre me lule e me lot gëzimi. Gjatë takimit mes haxhinjve dhe familjarëve u përjetuan momente emocionuese.

Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë i mbushur me familjarë të cilët prisnin të afërmit e tyre me lule e me lot gëzimiAeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë i mbushur me familjarë të cilët prisnin të afërmit e tyre me lule e me lot gëzimi.

1

Një prej këtyre momenteve ishte edhe takimi i Ibadetes me familjen, e cila për herë të parë kishte shkuar në Mekë, për ta kryer obligimin fetar të haxhillëkut. Ajo me sy të përlotur, për AA u shpreh se “Kemi kaluar shumë mirë, tani e ndiejmë veten shumë më të lehtë se që kemi qenë përpara.”

Haxhiu tjetër, Ismajl Ismaili nga Obiliqi, duke vënë në dukje se kjo ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, u shpreh se “Këtë gëzim nuk mund ta harrojmë përjetë, gëzohem shumë që ju gjetëm edhe juve mirë, vetëm temperatura është më e lartë, por vend më të mirë nuk mund të gjejmë në botë.”

Ndërkaq, Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, i cili poashtu kishte shkuar në Haxh me grupin kosovar, në një deklaratë për AA theksoi se prej 860 haxhinjve të gjithë kanë kryer obligim e tyre fetar dhe janë me shëndet të mirë, përveç njërit, cili kishte vdekur në tokat e shenjta.

“Ky është një tubim i madh, një tubim që nuk njeh as ngjyrë, as gjuhë e as kufi. Është një tubim ku njerëzit nga mbarë bota tubohen me qëllimin e vetëm që ta lusin Krijuesin e gjithësisë, për shëndet, mirëqenie, paqe, lumturi e falje mëkatesh anekënd globit ku jetojnë dhe veprojnë njerëzit”, u shpreh Tërnava.
1

Duke theksuar se haxhinjtë kosovarë janë të veçantë dhe me nivel të lartë të sjelljeve, Tërnava deklaroi se “Është kënaqësi të jesh në krye të një grupi kaq të madh prej 860 haxhinjve, baballarëve tanë, vëllezërve, motrave e nënave tona, të cilët kanë shkuar me qëllimin e vetëm që të jenë më afër Zotit, më afër Qabes dhe t’i përgjigjen thirrjes që e ka bërë qysh herët Ibrahimi a.s., Muhammedi a.s., që atij që Allahu xh.sh. jep mundësi dhe ka potencial material që ta vizitojë së paku një herë gjatë jetës së vet, Qaben”.

Grupi tjetër i haxhilerëve do të mbërrijnë sot në orët e mbrëmjes, kurse dy grupet tjera do të vijnë nesër në Kosovë. Ata ishin nisur për në Mekë më 3 dhe 4 shtator, të ndarë në 4 grupe.

Ndërkohë edhe haxhinjtë e Maqedonisë janë kthyer në atdhe.

Exit mobile version