Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se tani pritet që Grupimi Parlamentar i LVV ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, që sipas saj është i paligjshëm.
“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” tha Haxhiu.
Ajo theksoi se nëse ka dekret për shpërndarjen e Kuvendit, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën.
“Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu u shpreh se vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin ka qenë surprizë për të, derisa e cilësoi si të hap të ngutshëm nga ana e Osmanit.
“Vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues e i ngutshëm. Kushtetua parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi, në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit ta shpërndajë Kuvendin”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit shtoi se presidenca nuk mund të jetë mbi Kuvendin dhe se deputetët nuk duhet të gëzojnë nga një vendim i tillë.
“Deputetët duhet të braktisin këto forma të tyre që pamundësojnë konstituimin e institucioneve. E nisëm mirë e mbarë dhe doli dekreti dhe jemi në një situatë të tillë”, u shpreh Haxhiu.
Në fund, Haxhiu bëri thirrje për qetësi dhe profesionalizëm.
