Ballina Artikuj Heshtja sipas një këshille të imamit të madh Shafiut r.a.

Heshtja sipas një këshille të imamit të madh Shafiut r.a.

“Heshtjen tregti e gjeta, ndaj asaj iu mbajta, s’fitova dobi, por humbje kurrë s’pata.

Heshtja te burrat është treg i vërtetë, tregtari i saj ngrihet mbi çdo tregtar tjetër.” Imam Shafiiu r.a.

Imami ynë na tregon, a më mirë na kallxon përmes vargjeve të tij të urta, se heshtja në komunikimin me njerëzit është një lloj komunikimi që na sjell dobi, dhe nuk kemi humbje prej saj.

Prej disa ditësh, nji gazetare po don me na kallxu, shumë gjana për Islamin dhe na kallxoi përnimend, se me pak mund të gjithë ne mund të rreshtohemi, ashtu siç u rreshtum për të tregu se sa e duam Shejh Albanin rahmet pastë.

Fatkeqësisht nga ana e komunikimit me publikun nuk treguam ndonji gjë të madhe, përveç se e duam Shejh Albanin. (Shejh Albani e mbylli këtë dynja në shërbim të Synetit të Pejgamberit, që për ne të tjerët si gjindje e zakonshme nuk e dimë a do ta mbrrijmë dot! Por nuk është kjo çështja në këto rreshta.)

Kallxuam përnimend që një gazetare mund të na turbllojë ujnat e hurdhës tonë, ku pimë ujë e lahemi.

Komunikimi me publikun është një art më vete dhe gazetarja si zanatlie e mirë na tregoi se sa vulnerabël po jemi ne si bashkësi, dhe në veçanti xhematet e ndryshme me tifoza e kundër-tifoza kur vjen fjala të hyjmë në debat.

Kjo tashmë është hera e dytë që figura e shejh Albanit rahmet pastë po bahet objekt debati për shkak të papërgjegjësive tona për të respektuar dhe për ta vendos atje ku duhet atë. Në rastin e parë nga dashuria e tepruar për të dhe kësaj radhe se po “dëshirojnë” të na ulin figurën e shejhut tonë të dashur!

Mirëpo qartazi po duket nga efektet e krijuara nga ky debat, se as njana e as tjetra nuk kanë qenë qëllim i atij debati që u nxit për me na kallxu “të vërtetën”.

Thjesht ne kallxum se dimë ta ashpërsojmë debatin e ligjërimin tonë në publik deri në ekstrem. Kështu efekti i kërkuar i “ekstremizimit” u arrit shumë thjesht përmes formulës “godite kundërshtarin atje ku i dhemb më shumë”! Dhe ne bërtitëm fort nga Tirana në Prishtinë e deri në diasporë me të gjithë ata që e duan apo nuk e duan shejhun shkodran rahmet pastë.

Ja ku vjen në shprehje hadithi i Pejgamberit alejhi selam “Kush ka besuar Allahun dhe Ditën e Gjykimit le të flasë të mirën ose të heshtë.”

Këto deshta me ju tregu kritikëve të rreptë, se një copë femër është tu na kallxue vendin se ku duhet me ndejt neve…

Nga Roald A. HYSA

Exit mobile version