Ballina Artikuj Hipoteza e Gjysheve: Sekreti i mbijetesës njerëzore

Hipoteza e Gjysheve: Sekreti i mbijetesës njerëzore

Hoxhë Halil Avdulli

▪️Nëse do t’i shikonim njerëzit nga jashtë, thjesht si një specie ndër miliona të tjera, do të dukej se kemi marrë një vendim të çuditshëm: kemi zgjedhur që të vegjlit tanë të rriten shumë, shumë ngadalë. Ndryshe nga shumica e krijesave në Tokë, të cilat mezi presin t’i shtyjnë pasardhësit drejt pavarësisë, njeriu i mban fëmijët në periudhën e fëmijërisë për një kohë të jashtëzakonshme – rreth 25% të jetës.

▪️Fëmijëria jonë e gjatë është një strategji investimi.

Kjo buron nga fakti se Zoti na ngarkoi me mëkëmbesi në këtë tokë:

Jemi specie e dijes, e gjuhës dhe e kulturës, dhe për këtë na duhet kohë.

Prandaj njerëzit e kanë zgjedhur rritjen e ngadaltë, kujdesin e tepërt dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore si qendër të ekzistencës së tyre.

Ne zgjedhim që një çerek i jetës sonë t’i kushtohet mësimit, gjuhës, simboleve, nuancave shoqërore, emocioneve, dijes, dhe kulturës.

Sepse i vogli i njeriut nuk ka nevojë vetëm të ecë. Ai ka nevojë të kuptojë botën.

Fëmijëve tanë ju kushtojmë shumë energji, shumë kohë, shumë njohuri.

Prandaj duhen dy prindër, dhe shpesh edhe gjyshër, fqinj, komunitet.

Njeriu nuk rrit dot fëmijë vetëm.

Njeriu rrit fëmijë me familje dhe shoqëri.

Njeriu krijoi shoqëri, dhe shoqëria u krijua për të rritur fëmijë.

Të gjithë mekanizmat e jetës sociale familja, zakonet, normat, ndihma, rrjetet lindën si përgjigje ndaj nevojës për të rritur breza të rinj të cilët kërkonin shumë kohë që të “bëheshin njerëz”.

Të gjitha këto sakrifica bëhen për një qëllim:

të prodhohet një qenie që e tejkalon brezin paraardhës.

▪️Antropologët pyesin:

Si arriti njeriu të mbijetojë duke pasur fëmijë kaq kërkues, të varur dhe kaq të ngadaltë në rritje?

Hipoteza e Gjysheve është një teori e rëndësishme në antropologjinë evolucionare që tregon se mbijetesa dhe zhvillimi i shoqërive njerëzore ka qenë i mundur falë gjysheve dhe gjyshërve tanë. Kjo teori shpjegon edhe arsyen biologjike të menopauzës tek femrat: ndalimi i lindjes në moshë të vonë rrit mundësinë e mbijetesës dhe i lejon grave të kujdesen për fëmijët ekzistues, duke siguruar që investimi në brezin e ardhshëm të jetë më efektiv.

Studimet moderne, tregojnë se ushqimi i vërtetë i grupeve njerëzore nuk vinte vetëm nga gjuetia e cila ishte me sukses vetëm në 3–4% të rasteve por nga punët bujqësore të grave, të mundësuara nga prania e gjysheve që kujdeseshin për fëmijët.

Gjyshet nuk kujdesnin vetëm për ushqimin dhe mbijetesën; ato ishin edhe ruajtëse të historisë dhe trashëgimisë kulturore, duke transmetuar legjenda, mite dhe norma shoqërore. Ato formuan urën midis brezave, duke ndihmuar fëmijët të kuptojnë traditat, vendin dhe shoqërinë.

Pra, gjyshet janë arkivueset e kulturës, mësuese të para dhe mbrojtëse të mbijetesës njerëzore, dhe roli i tyre ka qenë vendimtar për evolucionin e shoqërive dhe specieve tona.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version