Ballina Artikuj Historia: identiteti i një populli

Historia: identiteti i një populli

Elton Harxhi

Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Vetëm Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Me të vërtetë, atë njeri që Allahu i Madhëruar e ka udhëzuar në rrugë të drejtë nuk ka kush ta humbasë e ai njeri që e ka humbur veten e tij nuk ka kush ta udhëzojë në rrugë të drejtë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahu të Madhëruar, Një të Vetëm e të pashok në sundimin e Tij. Gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, i cili e përçoi mesazhin hyjnor tek të gjithë njerëzit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për profetin Muhamed, familjen, të afërmit, shokët dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Kurani është Libri i Allahut, të cilin Ai ia shpalli robit dhe të Dërguarit të Tij, profetit Muhamed (a.s.), si udhërrëfyes për mbarë njerëzimin, deri në Ditën e Kiametit. Kurani fisnik, nga fillimi deri në fund, është i mbushur me mesazhe, mësime dhe urtësi, të cilat synojnë ta udhëzojnë njeriun drejt njohjes së Zotit, adhurimit të Tij dhe nënshtrimit me përulësi e bindje ndaj vullnetit të Tij.

Për ta përcjellë këtë mesazh madhor, Allahu përdor në Kuran mënyra dhe mjete të ndryshme, përmes të cilave e udhëzon njeriun, i drejtohet mendjes dhe ndërgjegjes së tij dhe e fton drejt së vërtetës. Një prej këtyre mënyrave të rëndësishme është edhe rrëfimi i historive. Dijetarët kanë theksuar se një e treta e Kuranit përbëhet nga rrëfime historike, gjë që dëshmon qartë vlerën, pozitën dhe rëndësinë e veçantë që historia zë në mesazhin kuranor.

Në të vërtetë, historia nuk është thjesht një pasqyrim i ngjarjeve të së kaluarës, por një thesar përvojash, mësimesh dhe urtësish, prej të cilave njeriu mund të nxjerrë udhëzime për të tashmen dhe të ardhmen. Ajo na ndihmon të kuptojmë rrjedhën e jetës, të njohim shkaqet e ngritjes dhe rënies së popujve, të vlerësojmë përvojat e brezave të mëparshëm dhe të nxjerrim mësime nga veprat dhe përfundimet e tyre. Një popull që e njeh historinë e vet, e kupton më mirë të tashmen dhe është më i përgatitur për të ardhmen. Prandaj, historia nuk duhet parë vetëm si kujtim i asaj që ka ndodhur, por edhe si një dritë që ndriçon rrugën përpara.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Çdo popull, që nga koha e Ademit (a.s.) e deri në Ditën e Kiametit, ka historinë e vet, e cila përbën një pjesë të veçantë të rrugëtimit të njerëzimit në këtë botë. Çdo bashkësi njerëzore ka kaluar nëpër ngjarje, sprova, përvoja, suksese dhe dështime, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre në jetën e brezave pasardhës. Disa popuj janë ngritur, kanë ndërtuar qytetërime të mëdha dhe kanë lënë pas vepra të jashtëzakonshme, ndërsa të tjerë janë shuar, duke lënë pas dëshmi të rënies dhe zhdukjes së tyre. Secili prej tyre ka pasur njerëzit, prijësit, ngjarjet dhe zhvillimet që kanë formësuar identitetin dhe rrjedhën e historisë së tij. Kjo do të thotë se historia e njerëzimit nuk është e përbërë nga një numër i kufizuar ngjarjesh, por nga një mozaik i pafund përvojash, që meritojnë të njihen, të dokumentohen dhe të përcillen brez pas brezi.

Pikërisht këtu merr kuptim edhe fakti se Allahu ka përmendur në Kuran historitë e shumë popujve dhe bashkësive të mëparshme. Këto rrëfime nuk janë përfshirë rastësisht, por për të nxjerrë në pah rëndësinë e historisë dhe mësimet e çmuara që ajo mbart. Natyrisht, Kurani fisnik nuk është libër historie dhe as synon të përfshijë historinë e të gjithë popujve që kanë jetuar në tokë. Megjithatë, fakti që Allahu ka zgjedhur të rrëfejë historitë e disa popujve, duke i bërë ato pjesë të mesazhit të Tij hyjnor, na jep një mësim të rëndësishëm: historia ka vlerë të jashtëzakonshme dhe çdo popull duhet të kujdeset për ruajtjen, dokumentimin dhe përcjelljen e historisë së vet, në mënyrë që brezat e ardhshëm të njohin rrënjët, trashëgiminë, përvojat dhe rrugëtimin e paraardhësve të tyre.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Një prej parimeve më themelore në shkrimin e historisë është saktësia dhe besnikëria ndaj së vërtetës. Historia nuk duhet të shkruhet sipas dëshirave, interesave apo bindjeve personale të historianit, por duke u mbështetur në fakte dhe dëshmi të besueshme. Historiani ka një përgjegjësi të madhe morale dhe intelektuale, sepse ajo që ai shkruan sot mund të bëhet burim njohurish dhe pikë referimi për brezat e ardhshëm. Prandaj, ai duhet ta paraqesë të kaluarën ashtu siç ka ndodhur, pa shtrembërime, deformime, ekzagjerime apo minimizime të ngjarjeve. Nuk duhet të fshehë atë që është e vërtetë, të zbukurojë atë që ka qenë e shëmtuar, të errësojë arritjet apo të zmadhojë dështimet e një populli. Po kështu, nuk duhet të ndërtojë një histori sipas së cilës populli i tij shfaqet gjithmonë si i drejtë, i pagabueshëm dhe fitimtar, ndërsa të tjerët si të padrejtë dhe të dështuar. Një qasje e tillë nuk është historiografi e ndershme, por manipulim i së kaluarës.

Këtë parim të së vërtetës e gjejmë në mënyrën se si Kurani fisnik na përcjell historitë e popujve të mëparshëm. Historitë kuranore burojnë nga burimi më i saktë dhe më i pagabueshëm: Allahu i Madhërishëm, i Cili e njeh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe nuk i shpëton asgjë nga realiteti i ngjarjeve. Për këtë arsye, rrëfimet kuranore nuk janë hamendësime, interpretime njerëzore apo përpjekje për ta paraqitur të kaluarën sipas interesave të dikujt, por e vërteta e shpallur nga Zoti. Kjo përbën edhe një model të rëndësishëm për çdo historian: historia duhet të jetë në shërbim të së vërtetës, e jo e së vërteta të vihet në shërbim të historisë që dikush dëshiron të ndërtojë.

Një shembull domethënës i pasojave të shtrembërimit të së vërtetës na vjen nga historia e Benu Israilëve. Kurani fisnik na tregon se një grup prej tyre, duke mos iu përmbajtur besnikërisht Shkrimit të shpallur nga Allahu, ndërhynin në të, shkruanin me duart e tyre tekste dhe më pas pretendonin se ato ishin prej Allahut. Për këtë veprim të rëndë, Allahu i Madhërishëm thotë: “Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: “Kjo është prej Allahut” që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar!”[1]

Ky ajet përbën një paralajmërim të fuqishëm kundër manipulimit të së vërtetës, falsifikimit të dokumenteve dhe paraqitjes së trillimeve si fakte. Ai na mëson se shtrembërimi i burimeve dhe manipulimi i së kaluarës nuk janë thjesht gabime në përcjelljen e informacionit, por mund të jenë edhe veprime të qëllimshme, të motivuara nga interesa të caktuara. Pikërisht për këtë arsye, asnjë historian nuk duhet të ndjekë shembullin e atyre që përmenden në këtë ajet. Ai nuk duhet të shkruajë atë që i intereson, por atë që dëshmojnë faktet; nuk duhet të fshehë të vërtetën për hir të interesave politike, ideologjike, fetare apo kombëtare dhe as të krijojë një të kaluar të sajuar për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. Detyra e tij nuk është të ndërtojë një histori që i pëlqen popullit të vet, por të dokumentojë me ndershmëri historinë ashtu siç ka ndodhur, me të mirat dhe të metat, me fitoret dhe humbjet, me arritjet dhe gabimet e tij.

Në fund të fundit, historia e një populli është amanet që një brez ia përcjell brezit pasardhës. Nëse ky amanet cenohet nga gënjeshtra, manipulimi dhe shtrembërimi, atëherë edhe brezat e ardhshëm do të trashëgojnë një të kaluar të deformuar, do ta kuptojnë gabimisht të tashmen dhe mund të ndërtojnë mbi themele të pasakta të ardhmen e tyre. Prandaj, ndershmëria në shkrimin e historisë nuk është vetëm një kërkesë shkencore, por edhe një detyrim moral ndaj së vërtetës, ndaj paraardhësve dhe ndaj brezave që do të vijnë.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Historitë që Allahu i Madhërishëm na rrëfen në Kuran nuk janë thjesht tregime të bukura për t’u lexuar dhe as ngjarje të së kaluarës që duhen kujtuar vetëm për kuriozitet. Ato mbartin mësime, urtësi dhe udhëzime të çmuara, prej të cilave njeriu duhet të nxjerrë përfundime dhe të marrë mësim për jetën e tij. I njëjti parim vlen edhe për historinë e çdo populli: ajo nuk duhet të studiohet vetëm për të njohur ngjarjet, datat dhe figurat e së kaluarës, por edhe për të kuptuar shkaqet që çuan në ngritjen apo rënien e tij. Në të vërtetë, historia e çdo populli është e lidhur ngushtë me ligjet dhe rregullat që Allahu ka vendosur në jetën e njerëzve dhe në zhvillimin e shoqërive. Këto ligje veprojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe përfshijnë marrëdhënien ndërmjet veprave të njerëzve dhe pasojave që ato sjellin.

Këtë kuptim e shpreh qartë edhe Allahu i Madhërishëm në Kuran, kur u drejtohet njerëzve me fjalët: “Para jush kanë kaluar shumë shembuj (popujsh nga ndjekësit e profetëve që iu ndodhi ajo që po ju ndodh edhe juve). Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan profetët.”[2]

Ky ajet është një thirrje e qartë për ta studiuar historinë, për të hulumtuar gjurmët e popujve të mëparshëm dhe për të medituar rreth përfundimit të tyre. Allahu nuk na fton thjesht të njihemi me atë që u ka ndodhur popujve të kaluar, por të kuptojmë edhe shkaqet që i çuan drejt atij përfundimi. Kështu, historia shndërrohet në një shkollë të madhe të përvojës njerëzore, ku brezat mësojnë nga paraardhësit, njohin ligjet e Allahut në jetën e popujve dhe kuptojnë se asnjë shoqëri nuk është e shkëputur nga pasojat e veprave të saj. Prandaj, dokumentimi dhe studimi i historisë nuk duhet të kufizohen vetëm në ruajtjen e kujtesës së së kaluarës, por duhet të shërbejnë edhe si mjet për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Të gjitha këto parime dhe mësime vlejnë edhe për ne si popull shqiptar. Edhe populli ynë ka një histori të gjatë, të pasur dhe të mbushur me ngjarje, përvoja, sprova, përpjekje, arritje dhe sakrifica, të cilat kanë formësuar identitetin dhe rrugëtimin tonë ndër shekuj. Kjo histori meriton të njihet, të studiohet, të shkruhet dhe të dokumentohet me kujdes e përgjegjësi, në mënyrë që të mos mbetet peng i kujtimeve të pjesshme, i interpretimeve subjektive apo i interesave të kohës. Ne kemi nevojë ta njohim të kaluarën tonë jo vetëm për të kuptuar se nga vijmë dhe çfarë kemi përjetuar si popull, por edhe për të nxjerrë mësime nga përvojat e brezave që na paraprinë. Duhet të njohim arritjet tona, por edhe gabimet; të kujtojmë sakrificat dhe qëndresën, por edhe të kuptojmë shkaqet e përçarjeve, dështimeve dhe periudhave të vështira. Vetëm kështu historia bëhet burim urtësie dhe përvoje, e jo thjesht një rrëfim krenarie apo një kujtim i largët.

Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim ka njohja e historisë nga fëmijët tanë. Shkolla nuk duhet t’u përcjellë atyre vetëm data, emra dhe ngjarje për t’i mësuar përmendësh, por duhet t’i ndihmojë të kuptojnë rrugëtimin historik të popullit të tyre, rrethanat në të cilat kanë jetuar paraardhësit, sfidat me të cilat janë përballur dhe mësimet që mund të nxirren prej tyre. Fëmijët tanë kanë të drejtë ta njohin historinë e popullit të tyre ashtu siç ka ndodhur, të mbështetur në dokumente, dëshmi dhe burime të besueshme, pa shtrembërime, falsifikime, ekzagjerime apo fshehje të qëllimshme të së vërtetës. Nuk duhet t’u ndërtojmë një të kaluar të zbukuruar artificialisht, por t’u japim mundësinë të njohin një histori të vërtetë, me të gjitha faqet e saj, të ndritshme dhe të dhimbshme. Sepse një brez që nuk e njeh historinë e vet rrezikon të humbasë lidhjen me rrënjët dhe identitetin e tij, ndërsa një brez që e njeh atë me vërtetësi, mëson të vlerësojë trashëgiminë, të kuptojë të tashmen dhe të ndërtojë të ardhmen me më shumë urtësi, përgjegjësi dhe vetëdije. Ruajtja dhe përcjellja e historisë sonë nuk është thjesht një detyrim ndaj së kaluarës, por një përgjegjësi ndaj së tashmes dhe, mbi të gjitha, ndaj brezave shqiptarë që do të vijnë.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Historia mijëravjeçare e popullit shqiptar është një fushë e gjerë nga e cila mund të nxjerrim shumë mësime. Një prej tyre lidhet me pozitën gjeografike dhe rrethanat historike në të cilat është zhvilluar populli ynë. Duke qenë një popull relativisht i vogël, i vendosur në një hapësirë strategjike të lakmuar nga fuqi të ndryshme, shqiptarët janë përballur vazhdimisht me rreziqe, pushtime dhe kërcënime ndaj trojeve të tyre. Në periudha të ndryshme të historisë, përballë këtyre rreziqeve, ata kanë kërkuar mbështetjen e aleatë dhe të fuqive më të mëdha, duke synuar të ruajnë territoret, lirinë dhe ekzistencën e tyre si popull.

Këtë prirje e gjejmë edhe në periudha të ndryshme të historisë sonë. Që në kohën e mbretërive ilire, sundimtarë të ndryshëm lidhën aleanca politike dhe ushtarake me fuqi të tjera të kohës, si Maqedonia dhe Roma, sipas rrethanave dhe interesave strategjike të momentit.

Edhe gjatë periudhës së sundimit osman, trojet shqiptare, si pjesë e një perandorie të madhe, përfitonin nga mburoja e saj ushtarake dhe politike përballë fuqive të tjera rivale. Kjo tregon se, gjatë historisë, siguria e një populli të vogël shpesh është lidhur edhe me pozitën e tij brenda strukturave më të mëdha politike dhe ushtarake.

Ndërsa në kohët moderne, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s më 2009, duke u përfshirë në një aleancë të mbrojtjes kolektive, ku siguria e një vendi anëtar lidhet me sigurinë e të gjithë aleatëve.

Prandaj, një prej mësimeve të rëndësishme që na përcjell historia jonë është fakti se: një popull, sado i vogël të jetë, duhet të dijë të ndërtojë aleanca dhe marrëdhënie strategjike me popuj e fuqi të tjera, sepse bashkëpunimi dhe aleancat e mençura janë ndër faktorët e rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë, tërësisë territoriale dhe ekzistencës së tij.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më vendimtare në historinë e popullit shqiptar është shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Kjo ngjarje nuk përfaqëson thjesht një datë të shënuar në kalendarin tonë kombëtar, por një pikë kthese historike, në të cilën shqiptarët morën në duart e tyre përgjegjësinë për të ardhmen e vendit dhe për fatin e trojeve të tyre. Në një kohë kur Perandoria Osmane po shpërbëhej dhe shtetet fqinje kishin shfaqur synime për zgjerimin e territoreve të tyre në dëm të tokave shqiptare, shpallja e Pavarësisë ishte një përpjekje vendimtare për të dëshmuar se shqiptarët ishin një popull më vete, me identitet, histori dhe të drejtë për të pasur shtetin e tyre. Ajo synonte të parandalonte copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare dhe të siguronte njohjen e Shqipërisë si njësi politike e mëvetësishme në arenën ndërkombëtare. Ndonëse vendimet e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar shumë territore dhe popullsi shqiptare, shpallja e Pavarësisë mbeti akti themelues që siguroi vazhdimësinë e shtetit shqiptar.

Prandaj, 28 Nëntori nuk duhet parë vetëm si dita kur u ngrit flamuri në Vlorë, por edhe si dita kur u hodh themeli i shtetit tonë të pavarur, në një prej çasteve më të rrezikshme të historisë sonë. Ai na kujton se ruajtja e identitetit kombëtar, uniteti, vizioni politik dhe aftësia për të vepruar në momentet vendimtare janë jetike për ekzistencën e një populli. Pavarësia nuk ishte vetëm çlirimi nga një rend i vjetër politik, por edhe përpjekja historike për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej nga tërësia e trojeve shqiptare dhe për t’u siguruar brezave të ardhshëm një shtet të tyren.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!

Nëse patriotët shqiptarë të kohës së Pavarësisë u përballën me sfidën e madhe të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga copëtimi dhe të sigurimit të ekzistencës së shtetit shqiptar, atëherë natyrshëm lind pyetja: cilat janë sfidat me të cilat përballemi ne sot në raport me atdheun tonë?

Sfida e brezit tonë nuk është e njëjtë me atë të paraardhësve, por kjo nuk do të thotë se është më pak e rëndësishme. Nëse ata luftuan për të mbrojtur tokën dhe për të fituar pavarësinë, ne kemi përgjegjësinë ta zhvillojmë, ta forcojmë dhe ta bëjmë Shqipërinë një vend ku qytetarët të jetojnë me dinjitet, siguri dhe shpresë për të ardhmen. Sfida jonë është të ndërtojmë institucione të drejta e funksionale, të luftojmë korrupsionin dhe padrejtësinë, të mbrojmë pasuritë kombëtare, të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë, si dhe të krijojmë mundësi që të rinjtë të mos detyrohen ta kërkojnë të ardhmen e tyre larg atdheut. Një sfidë tjetër madhore është ruajtja e lidhjeve me shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë dhe forcimi i bashkëpunimit me të gjitha trevat shqiptare, pa cenuar sovranitetin dhe marrëdhëniet paqësore me popujt e tjerë.

Në këtë kuptim, patriotizmi i sotëm nuk matet vetëm me fjalë të mëdha, deklarata apo kujtime historike, por mbi të gjitha me përgjegjësinë, ndershmërinë dhe kontributin e përditshëm për vendin. Të jesh patriot sot do të thotë të punosh për një shoqëri më të drejtë, të respektosh ligjin, të mbrosh interesin publik, të edukosh brezat me dashurinë për atdheun dhe të mos qëndrosh indiferent përballë problemeve të tij.

Nëse brezat e mëparshëm na lanë si trashëgimi një atdhe të fituar me sakrifica, detyra jonë është t’u lëmë brezave të ardhshëm një atdhe më të zhvilluar, më të drejtë, më të fortë dhe më dinjitoz. Kjo është sprova jonë historike dhe kjo duhet të jetë forma jonë e patriotizmit.

Imam – Hatib: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Bekare: 79.

[2] – Sure Ali Imran: 137.

Exit mobile version