Jean-Pierre Filiu, historian francez në ‘Sciences Po Paris’, në rubrikën e tij javore në të përditshmen ‘Le Monde’ ka deklaruar se Evropa e ka dobësuar Ukrainën duke e braktisur Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në shkrimin e titulluar “2025-ta: Viti kur Evropa e dobësoi Ukrainën duke braktisur Rripin e Gazës”, Filiu shkroi se BE-ja është më pak e përgatitur për t’u përballur me sfidat e presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj së drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, pasi ka toleruar shkelje të ngjashme në Gaza.
“Ne evropianët mund të kemi gjuhë dhe histori të ndryshme, por nuk ka asnjë gjuhë evropiane në të cilën paqja të jetë sinonim i ‘kapitullimit dhe sovraniteti i pushtimit”, shkroi ai.
Duke kujtuar sfidimin që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri kryeministrit hungarez, Viktor Orban, lidhur me sovranitetin e Ukrainës, ndërkohë që përmendi edhe vizitën e saj për të shprehur mbështetje për Izraelin, Filiu tha se qëndrimi i saj pro-Izrael e ka futur BE-në në “një qorrsokak”.
“Standardi i dyfishtë i BE-së mes Ukrainës dhe Gazës e ka dobësuar atë përballë Rusisë, pa i dhënë asnjë ndikim real në Lindjen e Mesme”, theksoi Filiu.
Ai gjithashtu theksoi heshtjen e von der Leyen pas deklaratës së Trumpit se SHBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës, duke sugjeruar se ajo shpresonte të fitonte favorin e SHBA-së për Ukrainën duke u rreshtuar me politikën amerikane për Gazën.
“BE-ja është ndërtuar mbi sundimin e ligjit, gjë që vetëm sa e ka përforcuar ndikimin katastrofik të paaftësisë së saj për të mbrojtur parimet ligjore me të njëjtën forcë si në Ukrainë ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Shtëpia e Bardhë e mori heshtjen e BE-së ndaj Gazës për atë që ishte: një rrëfim dobësie që nxiti provokime të mëtejshme amerikane, madje edhe brenda vetë Evropës”, shtoi Filiu.
Ai theksoi gjithashtu se blloku evropian u “tregua i paaftë” për të ndërmarrë ndonjë masë kundër Izraelit, ndërkohë që kishte miratuar tashmë disa raunde sanksionesh kundër Rusisë.
Filiu po ashtu tha se ndarjet mes vendeve anëtare të BE-së mbi zgjidhjen me dy shtete kanë krijuar një “ngërç”, duke e detyruar Francën të kërkojë mbështetje jashtë bllokut për të ringjallur përpjekjet diplomatike.
