Ballina Auto Honda mendon edhe për kafshët tuaja shtëpiake – këto ulëse per mace

Honda mendon edhe për kafshët tuaja shtëpiake – këto ulëse per mace

Nuk do të duan më të dalin nga vetura!

Honda ka prezantuar një teknologji revolucionare që do t’i gëzojë të gjithë pronarët e maceve. Ulëset e reja të quajtura “Catnip Car Seats” janë dizajnuar në mënyrë që edhe macet më kokëforta ta duan udhëtimin me veturë.

Siç e di çdo pronar maceje, transporti i saj me veturë shpesh kthehet në një makth të vërtetë: gërvishtje, fishkëllima dhe mjaullima të pandalshme janë vetëm një pjesë e “paketës”. Honda ka vendosur t’i japë fund këtij problemi me një zgjidhje inovative – ulëse të pajisura me material të integruar që përmban catnip (bar i maceve), i cili e qetëson dhe relakson macen gjatë udhëtimit.

Sipas përfaqësuesve të Hondës, problemi i vetëm që mund të kenë pronarët është të bindin macen të dalë nga makina kur të arrijnë në destinacion.

“Honda prej vitesh punon për ta bërë përvojën në veturë miqësore për kafshët shtëpiake, dhe kjo risi dëshmon se asgjë nuk është e pamundur kur qëllimi është të lumturojmë bashkudhëtarët tanë me qime”, tha Annie Moll, drejtoreshë e departamentit të Hondës për produkte për kafshët shtëpiake.

Ulëset e reja janë të disponueshme që nga muaji i kaluar dhe mund të instalohen në të gjitha modelet e Hondës – nga vetura e vogël Jazz deri te SUV-i i madh CR-V.

Ofrohen në variantin prej pëlhure dhe lëkure, dhe janë njësoj të rehatshme edhe për njerëzit.

Ulëset “Catnip Car Seats” janë më të rejat në një seri produktesh të Honda-s të dizajnuara për kafshët shtëpiake.

Ndër shpikjet e mëparshme dallohen ulëset e përparme “Pet Co-Pilot” dhe sistemi pa tela i aktivizuar nga lëvizjet e kafshës – “PAW-S” (Pet-Activated Wireless System).

Së shpejti pritet të prezantohen edhe produkte shtesë për macet: një marsh që shërben si grithëse, akullnaja të animuara në ekranin infotainment, dhe një ndarje dorezash me shpërndarës fijesh për të luajtur.

Exit mobile version