Ballina Artikuj Hoxhallarët nuk presnin bileta për muslimanët

Hoxhallarët nuk presnin bileta për muslimanët

Abedin Musallari

Fjalët, se gjoja pjesa më e madhe e muslimanëve u përkasin dy drejtimeve të këqija apo dy sekteve të humbura, i ktheni në shkretëtirë apo në skutat nga i keni marrë, e mos na i shisni si pjesë të fesë, pasi askush prej hoxhallarëve nuk ka autoritetin të presë bileta xhehenemi apo xheneti për ithtarët e Kibles (muslimanët).
Mos mashtroni njerëzit e thjeshtë me terma “Sipas Kuranit, Sunetit, Selefëve dhe Ixhmas së Umetit”, por u thoni copë: “Sipas kuptimit tonë për Kuranin, për Sunetin, selefët (e shekullit të 20-21) dhe sipas ixhmasë të grupacionit që i përkasim”. Foluni njerëzve për kultivimin e besimit (ju mjafton libri Njëshmëria e Krijuesit) dhe jo për dogma që nuk i hyjnë në punë askujt.
Kijeni frikë Zotin dhe peshojeni fjalën para se ta thoni, reflektoni ashtu siç kanë reflektuar hoxhallarët e këtij Umeti, pasi ideologji të tilla përjashtuese kanë sjellë shkatërrime në të mbjella, në kafshë dhe në njerëz, shkurt kanë djegur muslimanët.
Hiqni dorë nga prerja e biletave! Mos u ktheni në epokën e mesjetës! Mos u bëni gjyqtarë se nuk u ka emruar askush si të tillë! Mos firmosni në emër të Zotit se nuk ua ka dhënë askush atë të drejtë! Ndiqni modelin e hoxhallarëve të Umetit, të cilët kanë reflektuar dhe kanë hequr dorë nga gjykimi dhe prerja e biletave për ithtarët e Kibles!

Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kam lexuar një fjali të Eshariut (Allahu e mëshiroftë) e cila më ka pëlqyer. Këto fjalë janë vërtetuar se i ka thënë vetë Eshariu. Bejhakiu tregon: “Kam dëgjuar Ebu Hazim Abdeviun duke thënë: “Kam dëgjuar Zahir ibn Ahmed Serakhsiun duke thënë: “Kur Ebu Hasan Eshariu ishte në prag të vdekjes në Bagdad më kërkoi dhe unë shkova. Ai më tha: “Dëshmo se unë nuk akuzoj për herezi askënd prej ithtarëve të Kibles (muslimanëve), pasi të gjithë synojnë të adhurojnë vetëm një Zot, mirëpo ata i kanë shprehur mendimet e tyre me fjalë të ndryshme”. Them (Dhehebiu): “Kjo është e vërteta të cilës edhe unë i besoj. Këtë mendim ka pasur edhe shejhu ynë Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) në ditët e fundit të jetës së tij. Ai ka thënë: “Unë nuk akuzoj për herezi askënd prej pjestarëve të Umetit, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Besimtari rri gjithmonë me abdes”. Kush fal namazin me abdes është musliman”. “Sijeru Ealami`n-Nubela”, vëll. 15, f. 88.

Mos u folni njerëzve për gjëra të cilat ua mjegullojnë besimin, mos u impononi mendimet e juaja të tjerëve, pasi nuk është as metodë e hoxhallarëve që pretendoni se i ndiqni.
Ibn Tejmije ka thënë: “Unë nuk i kam bërë padrejtësi askujt, as nuk i kam thënë dikujt: “Pajtohu me besimin për të cilin kam bindje” dhe as nuk kam nxitur dikë për një gjë të tillë. Unë nuk kam detyruar askënd – as me fjalë as me vepra -, madje as nuk kam shkruar fare në lidhje me këtë çështje, përveç rasteve kur kam dhënë përgjigje për ndonjë pyetje dhe këtë e kam bërë, vetëm pasi pyetësi ka këmbëngulur, prandaj jam takuar dhe kam disktuar me të. Nuk është metoda ime që të jem iniciator i diskutimeve për çështje të tilla”. “Mexhmuu`l-Fetava”, vëll. 3, f. 243. Ai ka thënë gjithashtu: “Përsa i përket fjalës së pyetësit, se nuk duhet të disktohen ajetet dhe hadithet – që flasin për atributet e Allahut – me njerëz të thjeshtë, unë kurrë nuk kam diskutuar me ta për këto gjëra”. “Mexhmuu`l-Fetava”, vëll. 5, f. 266.

P.s. Gjëja më absurde e biletaprerësve është se kur akuzojnë muslimanët si pjestarë të grupeve të këqija dhe të humbura, pas shpinës kanë bibloteka pompoze, ku 98 përqind dhe moj… e librave voluminozë janë shkruar pikërisht nga hoxhallarët e grupeve të këqija dhe të humbura!!

لا حول ولا قوة إلا بالله

Nga: Abedin Musallari

Exit mobile version