Në një hulumtim të realizuar nga KIKS Kosova, nga pesë mostra të marra të naftës në pika të derivateve në Prishtinë dhe rrethinë, si dhe komuna të tjera, 40% nga to kanë dalë jashtë parametrave të cilësisë.

Në dy nga pesë mostrat, pika e ndezjes ka shkuar në 33.5 dhe 53.5. Sipas standardeve të caktuara të cilësisë së naftës, vlera normale e pikës së ndezjes duhet të jetë 55.5.

Karshi kësaj çështjeje, ka pasur edhe aktivitete që kanë bërë thirrje të kontrollohet cilësia e naftës. Muajin e kaluar, rrjeti i Organizatave jo-Qeveritare (AVONET) ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ku kanë protestuar kundër informalitetit dhe mungesës së kontrollit të cilësisë në tregun e brendshëm, veçanërisht në industrinë e naftës.

Në këtë aktivitet të AVONET ata kanë folur edhe rreth një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën ku theksohet informaliteti dhe mungesa e kontrollit të cilësisë në tregun e brendshëm e sidomos në industrinë e naftës.

“Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollimin e naftës nga kompanitë që rrisin fitimin e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur koston e mirëmbajtjes së tyre.”, kanë deklaruar nga AVONET.