Një studim gjerman mbi konfliktet në Lindjen e Mesme ka zbuluar se shumica e gjermanëve nuk janë në anën e Izraelit, transmeton Anadolu.
Sipas rezultateve të hulumtimit të kryer nga Instituti Allensbach dhe botuar në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, populli gjerman është i shqetësuar për konfliktet mes Palestinës dhe Izraelit, por një pakicë e vogël ndan mendimin se “Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë ndaj Izraelit”.
Sipas hulumtimit, ndërsa 76 për qind e gjermanëve deklaruan se ishin të shqetësuar për konfliktet në Lindjen e Mesme, publiku u nda në dysh sa i përket vlerësimit të ngjarjeve.
Ndërsa 35 për qind e gjermanëve që morën pjesë në sondazh e panë si të justifikuar pushtimin e Rripit të Gazës nga Izraeli dhe veprimet e tij të ashpra kundër Hamasit për të garantuar sigurinë, 38 për qind shprehën mendimin e tyre se duhet parandaluar humbja e jetëve te populli palestinez dhe rritja e mbështetjes për Hamasin.
Gjithashtu zbulohet se ka dallime proporcionale midis atyre që jetojnë në Gjermaninë lindore dhe perëndimore.
37 për qind e gjermano-perëndimorëve dhe 45 për qind e gjermano-lindorëve mendojnë se Izraeli duhet të kufizohet ushtarakisht.
Ndërsa 37 për qind e gjermanëve thonë se Izraeli tregon pak mirëkuptim ndaj fqinjëve të tij arabë, 38 për qind ndajnë pikëpamjen se Izraeli pushton pa të drejtë tokat palestineze.
Shumica e gjermanëve nuk mendojnë se Izraeli meriton mbështetje të veçantë gjermane, 35 për qind e gjermano-perëndimorëve dhe vetëm 21 për qind e gjermano-lindorëve mendojnë se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për fatin e Izraelit.