Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hungari, Sorosi krahasohet me Gylenin e Evropës

Hungari, Sorosi krahasohet me Gylenin e Evropës

E përditshmja prestigjioze në Hungari “Magyar Idok” aktivitetin e biznesmenit amerikan George Soros e krahason me atë të kreut të Organizatës Terroriste FETO, Fetullah Gylen.

Në një artikull të botuar në njërën nga gazetat prestigjioze të Hungarisë, “Magyar Idok”, aktivitetet e biznesmenit të famshëm amerikan George Soros janë krahasuar me ato të kreut të Organizatës Terroriste FETO, Fetullah Gylen, shkruan sot Radio Televizioni Shtetër i Turqisë, TRT.

Avokati hungarez Janos Somogy në gazetën “Magyar Idok” ka shkruar një artikull me titullin “George Soros, Fetullah Gyleni i Evropës”, në të cilin ai ka krahasuar rrezikun nga Sorosi me kreun e FETO-s Fetullah Gylen. Somogy thekson në shkrimin e tij se mes Gylenit dhe Sorosit ka ngjashmëri, sipas tij, të frikshme, dhe se rrjetet që kanë formuar që të dy përkojnë me njëra-tjetrën.

Somogy ka theksuar se miliarderi Soros nuk mjaftohet vetëm me para, porse dëshiron të vendosë mbi të ardhmen e shteteve dhe popujve duke fituar edhe ndikim politik. Ai ka tërhequr vëmendjen drejt metodave të përdorura dhe mënyrës së indoktrinimit. “Rrjeti i udhëhequr nga Soros shfaq ngjashmëri të frikshme me lëvizjen dhe rrjetin e Fetullah Gylenit”, ka vënë në pah Somogy.

Sipas Somogy, Soros dhe Gylen përpiqen të realizojnë synimet e tyre përmes perandorisë së mediave që kanë themeluar. “Edhe Gylen, edhe Soros, i japin rëndësi të madhe arsimit dhe ideologjisë dhe kanë themeluar rrjetet e tyre për t’i realizuar synimet. Në këtë rrjet, vend të rëndësishëm zë perandoria mediatike që kanë ndërtuar. Thuhet se Gylen qëndron pas tentativës për grusht shteti që ndodhi verën e kaluar në Turqi. Soros sot nuk ka ardhur dhe nuk mund të vijë në këtë gjendje në Hungari apo Gjermani”, ka thënë Somogy.

– Qeveria e shqetësuar

Qeveria e përbërë nga e djathta e qendrës Fidesz, shprehet se investitori i famshëm amerikan me origjinë hungareze George Soros përdor organizatat joqeveritare për t’ua diktuar qeverive vendore interesat personale.

Deklaratat e Szilard Nemeth, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Fidesz, se duhen pastruar organizatat që mbështeten nga Soros, kishte shkaktuar rritjen e debateve.

Nga ana tjetër, Istvan Hollik, deputeti nga radhët e partnerit qeveritar, Partisë Demokristiane të Hungarisë (KDNP), kishte komentuar: “Disa organizata joqeveritare nuk i sjellin aspak dobi zhvillimit ekonomik dhe social të Hungarisë, por kanë vetëm qëllime politike dhe financohen nga jashtë. Për këtë arsye, nuk ka kuptim që ato të ekzistojnë. Është normale që ato të merren nën kontroll më të rreptë”.

– Qeveria hungareze ka nisur një hetim ndaj shkollave të FETO-s

Ndërkohë, qeveria hungareze, pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik nga FETO, ishte mobilizuar kundër kësaj organizate. Ministri i Zyrës së Kryeministrit, Janos Lazar, ka deklaruar se kryeministri Viktor Orban ka dhënë udhëzimin për hapjen e hetimeve ndaj organizatave të FETO-s që ushtrojnë veprimtari në Hungari dhe se këto hetime do të realizohen bashkërisht nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme.

Organizata, e cila po ashtu është aktive dhe ka strukturën e vet edhe në kryeqytetin hungarez, Budapest, ushtron aktivitet në fushën e arsimit me dy shkolla me emrin Orchidea që i ka hapur në vitin 2006 dhe 2014 përmes Fondacionit Prizma, të cilin e ka themeluar po vet./TRT

Exit mobile version