Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hurmat izraelite dyshohet se shiten në tregun evropian me etiketa të ndryshme

Hurmat izraelite dyshohet se shiten në tregun evropian me etiketa të ndryshme

Një pjesë e konsiderueshme e hurmave të ofruara për shitje në Evropë dyshohet se hyjnë në treg përmes vendeve të treta duke fshehur origjinën e tyre të vërtetë, transmeton Anadolu.

Zgjerimi i shpejtë i tregtisë globale të hurmave dhe kompleksiteti i zinxhirëve të furnizimit kanë nxitur debat mbi gjurmueshmërinë dhe transparencën e etiketimit.

Izraeli, i cili aktualisht përballet me fushata bojkotimi, veçanërisht në botën myslimane, raportohet se ka adoptuar strategji etiketimi për të zbutur ndikimin e bojkotit të konsumatorëve në Evropë.

Tregu global i hurmave, i vlerësuar në 32,7 miliardë dollarë në vitin 2025, parashikohet të rritet në 34,5 miliardë dollarë në vitin 2026, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 6,14 për qind. Tregu pritet të arrijë në 55,58 miliardë dollarë deri në vitin 2034.

Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës ruan një pozicion dominues, me kapacitet vjetor prodhimi që tejkalon nëntë milionë tonë. Ky rajon përbënte 85,28 për qind të tregut global në vitin 2025. Madhësia e tregut në rajon u rrit nga 27,89 miliardë dollarë në vitin 2025 në 29,43 miliardë dollarë në vitin 2026.

Prodhuesit dhe konsumatorët kryesor në rajon përfshijnë Tunizinë, Iranin, Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irakun dhe Egjiptin.

Egjipti renditet si prodhuesi më i madh në botë, me mbi 1,7 milion tonë në vit. Arabia Saudite pason me më shumë se 1,5 milion tonë, Irani me mbi 1,3 milion tonë dhe Algjeria me më shumë se 1,1 milion tonë.

Megjithëse Izraeli mbetet pas Egjiptit dhe Arabisë Saudite për nga vëllimi i përgjithshëm i prodhimit, ai vazhdon të jetë një aktor i rëndësishëm në eksportet e hurmave me vlerë të lartë të shtuar, veçanërisht të llojit premium Medjool.

Megjithatë, mospërputhjet midis shifrave të prodhimit dhe eksportit kanë ngritur pikëpyetje lidhur me gjurmueshmërinë e zinxhirit të furnizimit.

Raporte të ndryshme të industrisë, hetime mediatike dhe organizata evropiane për mbrojtjen e konsumatorit sugjerojnë se hurmat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar mund të tregtohen me etiketa që fshehin origjinën, për të anashkaluar masat e bojkotit dhe kontrollin rregullator.

– Debati mbi transparencën në zinxhirin e furnizimit

Pretendimet përqendrohen te hurmat e prodhuara në vendbanime, të cilat dërgohen në Evropë përmes vendeve ndërmjetëse ose kanaleve indirekte logjistike, në vend të eksportit të drejtpërdrejtë.

Produktet me origjinë nga Bregu Perëndimor dyshohet se etiketohen thjesht si “produkt izraelit” ose paraqiten si me origjinë nga vende fqinje gjatë hyrjes në tregun e Bashkimit Evropian (BE).

Disa eksportues thuhet se i ripaketojnë mallrat në zona të tregtisë së lirë ose i kalojnë përmes vendeve ndërmjetëse, duke fshehur vendin e prodhimit.

Me rritjen e ndjeshmërisë në Evropë ndaj burimeve etike dhe tregtisë së ndershme, janë ngritur shqetësime se etiketimi me origjinë të fshehur mund të mashtrojë konsumatorët dhe potencialisht të shkelë rregulloret tregtare.

Ekspertët thonë se praktika të tilla mund të intensifikohen gjatë Ramazanit, kur kërkesa arrin kulmin. Rritja e kërkesës, shtojnë ata, mund të vërë nën presion mekanizmat e kontrollit dhe të shtrembërojë konkurrencën.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth gjysma e hurmave të shitura në Holandë dhe më shumë se një e treta në Francë janë me origjinë izraelite.

Ekspertët theksojnë se të dyja vendet funksionojnë si qendra paketimi dhe ri-eksporti brenda Evropës, me produkte që shpërndahen më tej në shtete të tjera të BE-së, përfshirë Gjermaninë.

Produktet e lidhura me Izraelin vlerësohet të përbëjnë afërsisht 25 për qind të furnizimit të përgjithshëm me hurma në Gjermani.

– Pretendimet për “pastrim” të origjinës së hurmave

Hurmat premium të llojit Medjool janë në qendër të debateve mbi origjinën e produkteve.

Sipas Qendrës për Promovimin e Importeve nga vendet në zhvillim (CBI), rreth 50 për qind e hurmave Medjool të eksportuara në Evropë vijnë nga Izraeli. Publikime ndërkombëtare të tregtisë ushqimore sugjerojnë se kjo shifër mund të arrijë deri në 75 për qind.

Kritikët argumentojnë se një pjesë e këtyre eksporteve mund të vijë nga plantacionet në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, ndërsa etiketimi i origjinës nuk është gjithmonë i qartë.

Izraeli eksporton afërsisht 35 mijë tonë hurma në vit. Megjithatë, sipas revistës bujqësore izraelite “Lahaklai”, të dhënat e sektorit tregojnë se vetëm rreth 8.800 tonë prodhohen brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Izraelit, kryesisht në Luginën Arava.

Nëse këto shifra janë të sakta, kjo do të nënkuptonte se rreth 75 për qind e volumit të eksportuar mund të ketë origjinë nga vendbanimet në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen gjerësisht të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Disa kompani të lidhura me Izraelin dyshohet se fshehin vendndodhjen e prodhimit gjatë eksportit të këtyre hurmave.

Termi “pastrim i hurmave” përdoret nga kritikët për të përshkruar praktikat ku hurmat e prodhuara në vendbanime tregtohen me etiketa alternative të origjinës, përfshirë Holandën, Marokun, Emiratet e Bashkuara Arabe ose Palestinën.

Disa përfaqësues të sektorit pretendojnë se produktet nga vendbanimet përzihen në zinxhirët palestinezë të furnizimit përmes ndërmjetësve. Të tjerë thonë se mospërputhjet midis deklarimeve zyrtare dhe vëllimeve reale të furnizimit mundësojnë eksportimin e produkteve me origjinë nga vendbanimet nën markim palestinez.

Autoritetet palestineze kanë ndërmarrë masa edhe më herët. Në vitin 2014, Ministria palestineze e Ekonomisë Kombëtare raportoi sekuestrimin e 20 tonëve hurma izraelite të destinuara për t’u shitur si “produkt palestinez”. Hetime të ngjashme janë raportuar edhe në vitet pasuese.

– Rregullat e etiketimit në BE

BE-ja zbaton kërkesa specifike etiketimi për produktet me origjinë nga vendbanimet izraelite.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së në vitin 2019, etiketimi i produkteve nga vendbanimet vetëm si “produkt izraelit” konsiderohet i pamjaftueshëm, origjina nga vendbanimet duhet të tregohet qartë për të shmangur mashtrimin e konsumatorëve.

Ekspertët u bëjnë thirrje konsumatorëve evropianë të verifikojnë me kujdes informacionin mbi origjinën gjatë blerjes së hurmave dhe kërkojnë më shumë transparencë për produktet që kalojnë përmes vendeve ndërmjetëse ose mbajnë etiketa të paqarta rajonale.

Ndërkohë, sektori bujqësor izraelit raportohet se po përballet me vështirësi të konsiderueshme për shkak të fushatave të bojkotit dhe ndërprerjeve logjistike të lidhura me konfliktin në Gaza.

Prodhuesit izraelitë, sipas mediave izraelite, kanë paralajmëruar se sektori po i afrohet kolapsit.

Aktivizmi i konsumatorëve dhe presioni në tregjet evropiane, tradicionalisht ndër destinacionet më të mëdha të eksporteve izraelite, kanë shtyrë disa shitës me pakicë të rishikojnë politikat e furnizimit.

Co-op me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka ndaluar furnizimin nga Izraeli, ndërsa fushatat e bojkotit kanë fituar terren në vende si Belgjika dhe Irlanda.

Exit mobile version