Tarifat e reja dhe më të larta globale të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, që variojnë nga 15 për qind deri në 50 për qind për mallrat që dërgohen në SHBA, hynë në fuqi sot, transmeton Anadolu.
Trump nënshkroi urdhra ekzekutivë javën e kaluar për të vendosur të ashtuquajturat tarifa “reciproke” ndaj mbi 67 vendeve, pavarësisht frikës se kjo mund të nxisë inflacionin dhe të ngadalësojë rritjen e punësimit.
Normat më të larta aplikohen për mallrat nga India (50 për qind), Brazili (50 për qind), Laosi (40 për qind), Mianmari (40 për qind), Zvicra (39 për qind), Iraku (35 për qind) dhe Serbia (35 për qind).
Edhe 21 vende të tjera përballen me tarifa mbi 15 për qind, përfshirë Vietnamin (20 për qind), Tajvanin (20 për qind), Pakistanin (19 për qind) dhe Tajlandën (19 për qind).
Fillimisht, India u godit me një tarifë prej 25 për qind, por Trump dje njoftoi një tarifë shtesë prej 25 për qind për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga New Delhi, duke hapur një front të ri në luftërat e tij tregtare.
India e dënoi njoftimin e Trumpit, duke e quajtur këtë veprim “të padrejtë, të pajustifikuar dhe të paarsyeshëm”.
Ndërkohë, siç raportoi agjencia “Kyodo News”, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se importet japoneze nuk do të trajtohen në mënyrë të veçantë, siç kishte besuar Tokio në bazë të një marrëveshjeje të fundit tregtare.
Sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonimiteti, tarifa 15 për qind e administratës së presidentit Trump për Japoninë do të jetë shtesë mbi normat ekzistuese të detyrimeve ndaj importeve nga Tokio, ndryshe nga rasti i Bashkimit Evropian (BE).
Zhvillimi bie në kundërshtim të qartë me shpjegimin e qeverisë japoneze për kushtet e marrëveshjes së fundit tregtare mes dy aleatëve.
