Ballina Artikuj Ibrahimi alejhi selam:  Mësime shpirtërore dhe psikologjike

Ibrahimi alejhi selam:  Mësime shpirtërore dhe psikologjike

Sot do të ndalemi te një nga profetët më të zgjedhur ndër të dërguarit, ai është Ibrahimi të cilin Allahu e përshkroi si një ymet në vetvete. Allahu i Lartësuar thotë:

“Me të vërtetë, Ibrahimi ishte një ymet, i përulur ndaj Allahut dhe i drejtuar vetëm tek Ai.”

Në një kontekst tjetër, Allahu i drejtohet atij duke thënë:

“Kur Zoti i tij i tha: ‘Dorëzoju!’ Ai tha: ‘Unë i dorëzohem Zotit të botëve.’”

Këtu ai i përgjigjet urdhrit të Allahut me përulësi dhe përkushtim të plotë ndaj Tij. Pas kësaj, ai merr premtimin hyjnor:

“Tha (Allahu): ‘Unë do të të bëj ty prijës për njerëzit.’ Tha (Ibrahimi): ‘Po nga pasardhësit e mi?’.’”

Ibrahimi e kupton se është zgjedhur nga Allahu, por ai shqetësohet për të ardhmen e pasardhësve dhe popullit të tij. Ai nuk mendon vetëm për shpëtimin e tij personal, por edhe për shpëtimin e të gjithë komunitetit të tij.

Është edhe nje pyetje qe e sjell Kurani fisnik nga Ibrahimi alejhi selam?

“Dhe kur Ibrahimi tha: ‘O Zoti im, më trego si i ringjall të vdekurit!’ (Allahu) tha: ‘A nuk beson?’ Tha: ‘Po, por (dua) që zemra ime të qetësohet.’”

Edhe pse ishte profet dhe i ngarkuar me një mesazh hyjnor, ai kishte nevojë për shenja që forcoi edhe ma shume besimin e tij dhe ta afronin edhe më shumë me Allahun.

Një tjetër cilësi e veçantë e Ibrahimit ishte qëndrueshmëria dhe guximi përballë sfidave. Ai nuk u tërhoq as kur u përball me përjashtim, përbuzje dhe madje kur e hodhën në zjarr. Ai i përballoi të gjitha me besim të plotë tek Allahu.

Përveç besimit të fuqishëm, ai zotëronte edhe mençuri dhe aftësi për të menduar thellë. Besimi nuk e pengonte të përdorte arsyen për të dialoguar dhe për të bindur të tjerët. Ai dëgjoi me kujdes edhe ata që kishin pikëpamje të ndryshme nga të tijat. Kjo shihet në debatin e tij me mbretin që pretendonte fuqi hyjnore:

“A nuk e ke parë atë që kundërshtoi Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi tha: ‘Zoti im është Ai që jep jetë dhe sjell vdekjen.’ Ai tha: ‘Edhe unë jap jetë dhe sjell vdekjen!’ Ibrahimi tha: ‘Allahu e sjell diellin nga lindja, sille ti nga perëndimi!’ Atëherë ai që mohoi mbeti i shtangur, dhe Allahu nuk e udhëzon popullin e padrejtë.”

Një tjetër shfaqje e lidhjes së tij të fortë me urdhrin e Allahut është kur pa në ëndërr se duhet të sakrifikojë të birin e tij:

“O biri im, unë pashë në ëndërr se po të flijoja. Çfarë mendon për këtë?” Ai tha: “O ati im, bëj atë që të është urdhëruar! Nëse do Allahu, do të më gjesh nga të duruarit.”

Në këtë ngjarje, Ibrahimi përjeton momente të natyrshme dyshimi dhe kërkon mendimin e të birit, sepse edhe profetët janë njerëz dhe mund të ndiejnë dobësi. Megjithatë, në fund, ai dorëzohet plotësisht ndaj urdhrit të Allahut.

Exit mobile version