Lindjet e dyfishta, katër herë më të shpeshta se mesatarja globale, por arsyet ende nuk dihen…
Në Igbo-Ora, një qytet me rreth 200.000 banorë në jugperëndim të Nigerisë, lindin shumë më shumë binjakë se sa mesatarja globale. Që nga vitet 1970, qyteti ka tërhequr vëmendjen e botës për shkallën e jashtëzakonshme të binjakëve: afro katër herë më e lartë se mesatarja botërore.
Ndërsa në të gjithë botën lindin rreth 12 binjakë dizigotikë (jo identikë) për mijë lindjesh, në Igbo-Ora vlerësimet tregojnë rreth 45 për mijë. Shkencërisht, nuk ka ende një shpjegim përfundimtar.
Studimet kanë treguar se një lloj roli mund të luajnë faktorët gjenetikë brenda grupeve etnolinguistike Yoruba dhe, në masë më të vogël, Hausa. Përqendrimi i martesave brenda komunitetit mund të ketë favorizuar trashëgiminë e këtyre tipareve me kalimin e kohës.
Binjakët dizigotikë janë ata që kontribuojnë kryesisht në fenomenin e Igbo-Orës, ndërsa binjakët monozigotë – ata të lindur nga një vezë e vetme – ndjekin shkallën mesatare globale.
Objekt studimi kanë qenë edhe faktorët mjedisorë dhe dieta. Ushqime tradicionale si àmàla nga manioku, supa me gjethe bamjeje dhe patate e bardhë e ëmbël mund të kenë një ndikim epigjenetik, duke modifikuar shprehjen e gjeneve.
Por nuk ka prova të qarta se këto janë shkaku i drejtpërdrejtë i lindjes së kaq shumë binjakëve. Megjithatë, shumë banorë e lidhin fenomenin me zakonet ushqimore dhe mikronutrientët e pranishëm në ushqimet lokale, duke i parë si pjesë të traditës.
Kultura Yoruba i sheh binjakët si bekim hyjnor dhe shenjë fatlume, që sjell mbrojtje dhe zhvillim. Në Igbo-Ora, martesa në një familje që ka binjakë konsiderohet me fat.
Binjakët janë të përfaqësuar edhe në artet figurative, me statuja druri të quajtura ìbejì, krijuar për të ruajtur shpirtin e binjakëve të ndjerë dhe për të mbrojtur familjen.
Tradita e ìbejì vazhdon edhe sot, edhe pse më pak e përhapur se dikur, dhe është ekspozuar në muze ndërkombëtarë. Qyteti e nderon këtë fenomen unik çdo vit me një festival, ku marrin pjesë binjakë nga e gjithë bota.
Një statujë qendrore e një nëne që mban binjakë përkujton këtë veçanti kulturore dhe biologjike të Igbo-Orës. Megjithëse shkenca nuk ka një përgjigje përfundimtare, Igbo-Ora është bërë një simbol global i misterit dhe mrekullisë së lindjeve binjake. /tesheshi
