Një incident i rrallë dhe shqetësues është regjistruar në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), ku astronauti amerikan Mike Fincke humbi papritur aftësinë për të folur për rreth 20 minuta gjatë një vakti me ekuipazhin Crew-11.
Sipas raportimeve, episodi ndodhi pa asnjë dhimbje apo simptomë tjetër shoqëruese, duke krijuar shqetësim të menjëhershëm tek ekuipazhi dhe ekipet në Tokë. Si masë paraprake, u vendos evakuimi mjekësor – një rast i parë në historinë e misioneve në ISS dhe kthimi i parakohshëm i ekuipazhit në fillim të muajit janar.
Pas kthimit, Fincke iu nënshtrua një sërë ekzaminimesh të detajuara, përfshirë rezonancën magnetike (MRI), por rezultatet nuk treguan shenja të goditjes në tru, infarktit apo ndonjë anomalie tjetër neurologjike. Vetë astronauti e përshkroi ngjarjen si një “alarm të rremë”.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se simptomat e përjetuara janë të ngjashme me ato të atakeve ishemike kalimtare (TIA), raste të cilat janë dokumentuar më parë tek tre astronautë të NASA.
Ngjarja ka nxitur interes të ri mbi efektet e qëndrimit në hapësirë mbi shëndetin neurologjik të astronautëve dhe nevojën për monitorim edhe më të avancuar gjatë misioneve afatgjata.
