Kryeministri i Indisë, Narendra Modi tha sot se New Delhi ka arritur marrëveshje të tregtisë së lirë (MTL) me Bashkimin Evropian, transmeton Anadolu.
“Dje (e hënë), u arrit marrëveshje e rëndësishme midis Indisë dhe Evropës”, tha Modi në një fjalim virtual për “Indian Energy Week”, duke iu referuar përfundimit të negociatave të MTL-së me BE-në.
Deklarata erdhi përpara bisedimeve të Modit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa në kryeqytetin New Delhi.
Modi tha se marrëveshja do të përbënte 25 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) globale dhe një të tretën e tregtisë globale. “Njerëzit në botë po e diskutojnë atë si një ‘nënë të të gjitha marrëveshjeve'”, tha ai.
“Ky është një shembull i shkëlqyer i koordinimit midis dy ekonomive të botës”, shtoi Modi.
Ndërkohë, sekretari indian i Tregtisë, Rajesh Agrawal tha të hënën se India dhe BE-ja kishin përfunduar negociatat për MTL-në, e cila është finalizuar.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet më vonë këtë vit dhe mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, theksoi Agrawal.
Sipas qeverisë indiane, BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Indisë për mallra, me një vëllim tregtar dypalësh që arrin afërsisht 136 miliardë dollarë në vitet 2024-2025.
