India dhe Izraeli ngritën nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe vendosën të krijojnë një partneritet në teknologjitë kritike dhe në zhvillim, transmeton Anadolu.
Kjo u njoftua gjatë vizitës dyditore të kryeministrit indian, Narendra Modi në Izrael, ku ai zhvilloi bisedime me homologun e tij Benjamin Netanyahu.
Në fjalimin e tij për gazetarët, Modi tha se të dy vendet kanë marrë vendimin “historik” për të ngritur lidhjet në statusin e një “partneriteti të veçantë strategjik”. Ai tha se India dhe Izraeli vendosën të bashkëpunojnë në teknologjitë kritike dhe në zhvillim.
“Kjo do t’i japë një vrull të ri bashkëpunimit në fusha të tilla si inteligjenca artificiale, mineralet kuantike dhe kritike”, tha Modi duke shtuar se New Delhi dhe Tel Avivi së shpejti do të përfundojnë një marrëveshje të tregtisë së lirë “të dobishme reciprokisht”.
Gjatë bisedimeve të nivelit të lartë midis dy palëve, u nënshkruan të paktën 16 pakte në sektorë të ndryshëm.
“Ne do ta çojmë më tej punën tonë në fushat e energjisë bërthamore civile dhe hapësirës. Së bashku, do të zhvillojmë zgjidhje bujqësore të gatshme për të ardhmen. Do të punojmë për krijimin e fshatrave të përsosmërisë”, tha kryeministri indian.
Modi tha se New Delhi dhe Tel Avivi do të ndjekin gjithashtu zhvillimin, prodhimin dhe transferimin e përbashkët të teknologjisë në sektorin e mbrojtjes.
Lidhur me Gazën, ai tha: “Njerëzimi nuk duhet të bëhet kurrë viktimë e konfliktit”.
“Një rrugë drejt paqes është krijuar përmes planit të paqes në Gaza. India i ka mbështetur plotësisht këto përpjekje. Edhe në të ardhmen, ne do të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet”, tha Modi.
