India i ka kërkuar Kanadasë të tërheqë rreth 40 staf diplomatik nga India, raportoi të martën BBC-ja.
Muajin e kaluar, Kanadaja tha se India mund të ketë qenë pas vrasjes së një udhëheqësi separatist Sikh në tokën kanadeze, të cilën India e ka mohuar.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Indisë ka thënë për BBC-në se nuk ka asnjë koment për ta bërë.
Kanadaja ka shumë më shumë diplomatë në Delhi sesa India në Otava, dhe që kur ka shpërthyer kriza midis dy vendeve, India i ka kërkuar Kanadasë barazi në misionet e saj diplomatike.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka thënë në një konferencë për shtyp të martën se nuk po kërkon ta përshkallëzojë tensionin me Indinë.
“Do të vazhdojmë të angazhohemi me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive me qeverinë e Indisë”, është shprehur ai.
Tensionet midis dy vendeve, të cilat historikisht kanë pasur lidhje të ngushta, janë rritur pasi Trudeau tha në shtator se India mund të ketë qenë pas vrasjes së Hardeep Singh Nijjar më 18 qershor.
Ai ishte një shtetas kanadez i qëlluar për vdekje në automjetin e tij nga dy persona të armatosur të maskuar jashtë një tempulli Sikh në Kolumbinë Britanike.
India e kishte cilësuar atë terrorist në vitin 2020.
Trudeau ka thënë para parlamentit kanadez se agjencitë e inteligjencës po hetojnë nëse agjentë të qeverisë së Indisë janë të përfshirë në vrasjen e Nijjarit. /koha