Indonezia ka njoftuar se po përgatit deri në 8 000 trupa ushtarake për t’u dislokuar në Rripin e Gazës, duke u bërë vendi i parë që ndërmerr një hap të tillë në kuadër të fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në fund të vitit të kaluar, sipas BBC.
Shefi i Shtabit, gjenerali Maruli Simanjuntak tha se stërvitja për trupat ka nisur tashmë dhe se misioni i tyre do të fokusohet kryesisht në role mjekësore dhe inxhinierike në Gaza.
Indonezia është bashkuar gjithashtu me Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, i shpallur muajin e kaluar.
Vendi ka marrë një mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të ndihmuar në krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF), e cila synon të sigurojë zonat kufitare të Gazës dhe të garantojë çmilitarizimin e territorit, përfshirë edhe çarmatimin e Hamasit.
Koha e dislokimit të trupave indoneziane dhe roli i saktë i tyre në terren ende nuk janë përcaktuar, por sinjalet tregojnë se presidenti Prabowo Subianto ka marrë vendimin që ata të dërgohen.
Vendimi për t’iu bashkuar Bordit të Paqes së presidentit Trump është kritikuar nga disa grupe islamike në Indonezi, ku ka pasur zemërim të gjerë publik për rolin e SHBA-së në bombardimet izraelite në Gaza.
Megjithatë, Prabowo ka argumentuar se, si vendi me popullsinë myslimane më të madhe në botë, Indonezia duhet të kontribuojë në stabilizimin e Gazës dhe ka theksuar se angazhimi i saj synon një zgjidhje përfundimtare me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Transmetuesi publik izraelit “Kan” raportoi se një zonë në jug të Gazës, mes Rafahut dhe Khan Younisit, është caktuar tashmë për përdorim nga ushtria indoneziane, ku parashikohet ndërtimi i një reparti për disa mijëra trupa.
Ndërkohë, edhe vende të tjera myslimane si Turqia dhe Pakistani po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të trupave, por kanë bërë të qartë se do të vepronin vetëm si paqeruajtës dhe nuk do të përfshiheshin në planin për çarmatimin e Hamasit.
