Ballina Sport Futboll Infantino: Dhuna në Superligën turke, e papranueshme

Infantino: Dhuna në Superligën turke, e papranueshme

Stamboll, 18 mars – Dhuna në Superligën e Turqisë në futboll është e papranueshme, ka thënë të hënën presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ai ka ftuar autoritetet të marrin masa pas dhunës së madhe të shfaqur me të përfunduar ndeshja mes Trabzonsporit dhe Fenerbahçes, të dielën.

Tifozët e Trabzonsporit u futën në fushë pas përfundimit të ndeshjes dhe kanë sulmuar lojtarët mysafirë të Fenerbahçes. Lojtarët e Fenerit nuk kanë qëndruar duarkryq dhe janë mbrojtur. Ka pasur shkëmbim goditjesh mes lojtarëve e tifozëve.

Incidenti i rëndë është vetëm i radhës në kampionatin turk. Kishte bërë bujë edhe grushtimi i arbitrit nga presidenti i një klubi, në fushën e lojës.

Policia në Turqi ka arrestuar 12 tifozë pas incidentit në Trabzon, ka shkruar ministri i punëve të brendshme, Ali Yerlikaya, të hënën.

Lojtarët e Fenerbahçes janë larguar nga Trabzoni me aeroplan privat të dielën në mbrëmje, nën masa të rrepta sigurie.

“Dhuna e shfaqur pas ndeshjes mes Trabzonsporit dhe Fenerbahçes është absolutisht e papranuar. Në fushë apo jashtë saj, dhuna nuk ka vend në sportin tonë apo në shoqëri”, ka thënë Infantino përmes një komunikate.

“Të gjithë lojtarët duhet të jenë të sigurt të luajnë lojën e tyre që sjell aq shumë kënaqësi te njerëzit në mbarë botën. Ftoj autoritetet relevante të sigurojnë që kjo të respektohet dhe që përgjegjësit e ngjarjes shokuese në Trabzon të marrin dënimet e merituara”.

Trajneri i Fenerbahçes ka thënë se nuk e di pse Trabzoni është vend aq i tensionuar.

“A nuk kemi drejtë të festojmë? Duhet të kalohen këto gjëra. Duhet të jemi tolernatë me njëri-tjetrin dhe të jemi të arsyeshëm”, ka thënë Ismail Kartal.

Federata turke ka thënë se është në kontakt me përfaqësuesit dhe autoritetet e shtetit lidhur me incidentet që ndodhën gjatë dhe pas ndeshjes.

Fenerbahçe fitoi 3:2 dhe mbeti në garë për titull të kampionit. Enis Bardhi shënoi njërin gol për Trabzonsporin.

“Askush nuk duhet të ketë dyshime që pasi hetimet të kompletohen, masat e nevojshme do të merren ndaj atyre që janë përgjegjës dhe që raste të tilla të mos na përsëriten”, thuhet në një reagim të federatës turke.

Exit mobile version