Inflacioni në 19 vendet që përdorin euron shënoi një rekord të ri prej 8,1% në maj për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, njoftoi sot agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian “Eurostat”.
Në muajin prill, inflacioni vjetor ishte 7,4%. Ekonomistët kishin parashikuar një rritje deri në 7,8% në muajin maj.
Inflacioni i çmimeve në eurozonë nuk ka qenë kurrë kaq i lartë që nga prezantimi i monedhës së përbashkët në 1999.
Norma ka qenë në rritje që nga vera e vitit 2021, duke regjistruar vazhdimisht një rekord të ri. Lufta në Ukrainë dhe masat e ashpra të koronavirusit në Kinë shkaktuan rritjen e çmimeve.
Edhe një herë, inflacioni u nxit nga një rritje jashtëzakonisht e madhe e çmimit të energjisë, me 39,2% në baza vjetore. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve ishin 7, 5% më të shtrenjta se një vit më parë.
Në maj, inflacioni bazë që përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin u rrit në 3,8% nga 3,5%. /atsh
