Rritja e çmimeve të konsumit ka vijuar edhe gjatë muajit mars, duke konfirmuar trendin inflacionist në vend. Sipas të dhënave të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni mujor arriti në 1.5 për qind krahasuar me shkurtin, ndërsa norma vjetore e inflacionit u regjistrua në 6.7 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (25,8%), perimet (3,7%), pemët (1,5%) dhe mishi (0,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it.
Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te energjia elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-2,2%) me një ndikim prej -0,2 për qind në IHÇK-it.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,7 % në muajin Mars 2026 krahasuar me muajin Mars 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5%), biletat e fluturimeve (38,4%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (31,9%), energjia elektrike (17,4%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (17,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (15,6%), pushime të organizuara (13,2%), pemët (13,1%), mishi (12,4%), kafja, çaji dhe kakao (7,8%), shërbimet hoteliere (6,9%), prodhimet ushqimore (6,8%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,7%), shërbimet ambulantore (5,6%), kujdesi personal (5,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,1%), perimet (4,9%), gjërat personale (4,4%), buka dhe drithërat (4,1%), duhani (4,1%), pijet alkoolike (3,9%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9%), mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,8%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (3,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (3,4%), qumështi, djathi dhe vezët (3,4%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (2,7%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (2,3%), veshje (2,2%) dhe ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe me nje ndikim te vogel në IHÇK me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,7 për qind në IHÇK-it”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
