Panairi i 29-të Ndërkombëtar i Librit që po mbahet në kryqytetin e Omanit, Maskat, u vizitua nga 70 mijë vizitorë në ditën e parë, raporton Anadolu.
Zyrtarja e Ministrisë së Informacionit të Omanit, Sheikha al-Mahrukiye, për Anadolu tha se kishte interesim të madh për panairin dhe më shumë se 70 mijë njerëz e vizituan atë në ditën e parë.
“Ky interesim tregon rëndësinë e panairit, sa popullor është dhe vendin që zë në zemrat e banorëve të Omanit dhe të mysafirëve nga jashtë vendit”, tha Mahrukiye.
Duke theksuar se panairi u organizua nën titullin “Shumëllojshmëria Kulturore është Trashëgimia e Qytetërimeve”, Mahrukiye tha: “Në panair ka më shumë se 600 mijë vepra dhe këtë vit po përqendrohemi në filozofinë e shumëllojshmërisë si pasuri e qytetërimeve”.
Panairi, i cili hapi dyert sot dhe do të vazhdojë deri më 3 maj, vazhdon me pjesëmarrjen e njerëzve të të gjitha moshave dhe kulturave. Panairi përfshin një sërë aktivitetesh, përfshirë seanca autografesh, seminare dhe aktivitete argëtuese dhe edukative për fëmijë.
Sipas informacionit të marrë nga organizatorët e panairit, numri i vendeve pjesëmarrëse arriti në 35 ndërsa në panair morën pjesë 674 shtëpi botuese, 47 pjesëmarrës zyrtarë dhe 20 shtëpi botuese të huaja me 1.141 stenda. Numri i ngjarjeve kulturore arriti në 211 ndërsa numri i aktiviteteve për fëmijë arriti në 155.